Brukseli kalon vijën e kuqe? Gjykata e BE-së detyron njohjen e martesave njëgjiniore Gjykata Evropiane trondit shtetet konservatore: Njohja e martesave njëgjiniore, tashmë detyrim për të gjithë

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka vendosur se të gjitha vendet e Bashkimit Europian janë të detyruara të njohin martesat mes personave të së njëjtës gjini të kryera në një shtet anëtar, pavarësisht nëse legjislacioni i tyre i brendshëm i lejon apo jo këto martesa. Vendimi erdhi në kuadër të një çështjeje që përfshinte një çift polak të martuar në Berlin në vitin 2018, martesë të cilën autoritetet polake kishin refuzuar ta transkriptonin në regjistrin civil.

Sipas GJED-së, mosnjohja e marteses cenon lirinë e lëvizjes dhe të qëndrimit brenda BE-së, si dhe të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare. Gjykata kritikoi hapur Poloninë për qëndrimin e saj, duke theksuar se rregullat kombëtare nuk mund të përdoren për të kufizuar të drejta të garantuara në nivel europian.

Megjithatë, vendimi ka ngritur shqetësime në disa vende të bllokut, duke rikthyer debatin mbi kufijtë e kompetencave të institucioneve të BE-së. Kundërshtarët argumentojnë se GJED-ja po ndërhyn thellë në rendin juridik dhe moral kombëtar, duke detyruar shtetet të njohin forma të marteses që legjislacionet e tyre nuk i lejojnë. Sipas tyre, çështje të tilla duhen zgjidhur nga parlamentet kombëtare dhe jo të imponohen nga gjykata supranacionale.

Në Poloninë kryesisht katolike, ku debati mbi të drejtat LGBT+ është i polarizuar, ky vendim pritet të shkaktojë tensione të mëtejshme politike. Ndërkohë, qeveria aktuale ka paralajmëruar një projektligj për rregullimin e partneriteteve civile, por martesa mes personave të së njëjtës gjini mbetet ende jashtë kuadrit ligjor.

Megjithëse detyrues, vendimi i GJED-së ka hapur pyetje serioze mbi marrëdhënien midis sovranitetit kombëtar dhe kompetencave të BE-së pyetje që ka të ngjarë të vazhdojnë të nxisin debat edhe përtej kësaj çështjeje konkrete./GAZETAIMPAKT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne