Brukseli vetëm fjalë. Kina ka gati thesin, por po i hedh në Serbi

Shtetet e Ballkanit Perendimor kanë nevojë të madhe për shumë para. Duhen investime dhe jo fjalë. Në Bruksel të japin me shumë euro, të cilat prapë i marrin vetë, në formë leksionesh, pasi duhet vetëm të mësosh demokracinë! Por demokracia nuk zhvillohet pa ekonomi të fortë, pra duhen fonde për të ndërtuar dhe zhvilluar Rajonin e Ballkanit dhe krejt asaj pjese europiane e cila ka nevojë për progres. Edhe në Shqipëri e Kosovë, Bashkimi Europian po tregohet krejt i padrejtë. Kosovën e lë pa viza, pa para. Ndërsa në Shqipëri na mësojnë se duhen reforma e durim! Por reformat dhe durimi duan para për tu bërë e mbajtur nofullat shtrenguar. Ndërkohë Kina tregohet me praktike në drejtim të investimeve, ndonëse duhet pranuar se në Shqipëri, për fajin e politikës apo qeverisjes, Pekini zyrtar nuk ka më atë dëshirë si dikur. Ka dalë Serbia në tregun rajonal. Por prapë mundet të gjenden forma thithje të parasë siç po hedhin në Serbi e Mal të Zi, kinezët. Ka një Taiwan i cili është mik dhe aleat strategjik i SHBA për Azinë; qarkullon qindra milardë dollarë si shtet. Ata po sillen nëpër Tiranë. Kanë shumë para, dhe nuk dijnë ku ti hedhin. U pëlqen Shqipëria. Po takohen me pushtetarë të lartë në kryeqytet. Duan projekte pasi miliardat i kanë gati. Edhe takimi që u bë këto ditë në Tiranë, mund të sjellë ndërlikime me Pekinin zyrtar, por sjellë një investim diku te 1.4 miliardë dollarë. Edi Rama po mendohet. Kina nuk e pranon dhe nuk njeh Taiwan si shtet, por si pjesë të saj. Taipei zyrtar ka marrëdhënie diplomatike me Vatikanin, kurse Pekini nuk ka ambasadë në Vatikan. Marrëdhëniet e vështira Kinë-Tajvani zënë fill që në vitin 1949, kur në Pekin u futën komunistët, ndërsa lideri nacionalist kinez Çan Kaj Shek shkoi në ishullin e Tajvanit. Që prej atij viti Kina përdor çdo mjet ta fusë në dorë ishullin. Edhe me forcë, herë pas here. Por Kongresi Amerikan ka një Status të veçantë për Tajvanin. Kush prek Tajvanin, prek SHBA!

Tajvani ka hedhur në Kinë mbi 256 miliardë dollarë investime. Pra kur hyn paraja harrohet inati dhe politika. Atëhere pse Edi Rama heziton që prej ditës së dielë të hap investimet tajvaneze në Tiranë? Ka frikë nga Kina? Epo paraja shpon detin, ka thënë Tuç Maku, në filmin e famshëm. A i pranon miliardat e dollarëve Kina nga Tajvani që ka supër forcë ekonomike në teknologjinë high tech? Pse Shqipëria nuk i pranon? Kryeministri, të thonë në kryeministri, po mendohet. Sot radio gjermane DW shkruante në versionin online se kryeministri kinez Li Keqiang u premtoi vendeve të Evropës Lindore dhe Juglindore ndihma prej rreth tre miliardë dollarësh. Dy miliardë dollarë do të vihen në dispozicion për projekte për zhvillimin prej Bankës Kineze për Zhvillim, kurse një miliardë do të livrohen në kuadër të një programi për kooperim në fushën e investimeve.

Në takimin e nivelit të lartë të vendeve CEEC-it (Central and Eastern Europa and China) të quajtur edhe si samiti  “16 plus 1”, që po zhvillohet në Budapest, presidenti kinez Li tha se bashkëpunimi karakterizohet “nga respekti reciprok dhe parimi win-win”.

Pjesë e “Rrugës së re të mëndafshit”

Takimi i Budapestit është pjesë e strategjisë ndërkombëtare të Kinës për investime, të quajtur “Rruga e re e mëndafshit”. Kjo bazohet në lidhjet e dikurshme të rëndësishme tregtare mes Kinës dhe Evropës në periudhën e Antikitetit dhe të Mesjetës së Hershme. Në këtë kuadër pritet të ngrihen lidhje të reja rrugore dhe hekurudhore për të nxitur tregtinë mes Evropës dhe Azisë.

Hungaria synon të lidhë njëmbëdhjetë marrëveshje dypalëshe me Kinën. Një ndër to është për një kredi kineze me vlerë 2,1 miliardë dollarë për modernizimin e lidhjes hekurudhore mes Hungarisë dhe Beogradit.

Përmes kësaj lidhjeje pritet që mallrat që vijnë nga Kina në portin grek të Pireut, të transportohen edhe më shpejt në vendet e Evropës qendrore. Punimet pritet të nisin në vitin 2020.

Përçarje e Evropës?

Presidenti hungarez Orban tha se vendi i tij dhe vendet e tjera anëtare të CEEC-it e kanë parë gjithmonë bashkëpunimin me Kinën si shans të madh. Ai tha se kooperimi ekonomik me Kinën nuk do të vështirësohet prej pengesash politike. Hungaria shprehet rrallë për çështjen apo gjendjen e të drejtave të njeriut në vendet, me të cilat bën tregti dhe biznes. Kurse përfaqësuesit e BE-së i akuzojnë qeveritë e Polonisë dhe të Hungarisë që shkelin edhe vetë parimet e shtetit ligjor shkruan DW.

Projekti kinez “Rruga e re e mëndafshit” nuk shihet pozitivisht kudo në Evropë. Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel (SPD) paralajmëroi prej një përçarjeje të Evropës dhe u shpreh se pas këtij projekti gjendet një strategji e madhe gjeopolitike, kulturore, ekonomike dhe në fund ndoshta edhe politike, së cilës BE-ja për momentin nuk ka si t’i kundërpërgjigjet.

Në fakt që prej largimit të Britanisë së Madhe nga BE, Brukseli është me fjalëshumë, por me pak para jep për Ballkanin Perendimor. Premton, por nuk po shikohen investime konkrete. Situata në Gjermani me një qeveri pa qeveri, ku Merkeli pret dorën e kundërshtarit të saj kryesor, e bën me pak optimiste forcën e BE. Ndërkohë Kina mbetet me praktike. Jep para në investime, dhe nuk vonon. Ndonëse në Shqipëri sjellin vetëm ca investimet të vogla.

Mundet që kryeministri Rama, i cili ka deleguar një ministër për bisedime me Tajvanin, të ndërrojë biletën nga Tiranë-Pekin në Tiranë-Taipei!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne