Bunjaki: Ndeshja me Turqinë në Shkodër do të jetë e vështirë

Trajneri i përfaqësueses së Kosovës në Futboll, Albert Bunjaki, në konferencën për mediat mbajtur sot në Shkodër, për ndeshjen e nesërme Kosovë-Turqi, tha se do të jetë një lojë mjaft e vështirë, raporton Anadolu Agency (AA).

Bunjaki konfirmoi se gjithë lojtarët për përballjen me Turqinë janë në dispozicion. “Do të jetë një lojë mjaft e vështirë, ndoshta më e vështira që deri tani kemi pas. Kemi filluar të krijojmë një eksperiencë, nga loja në lojë. Jemi më kompakt, më agresiv, më të koordinuar dhe konkurrenca është në rritje. Turqia ka lojtarë dhe trajner jashtëzakonisht të mirë. Ajo që do të vendosë do të jetë vullneti për fitoren dhe kompaktësia. Kemi përkrahjen masive të tifozëve tonë, dhe dëshirojmë që t’i gëzojmë me një fitore dhe jam shumë i bind që kjo fitore mund ndodhë edhe nesër. Kosova është e gatshme të përballet me Turqinë”, theksoi Bunjaki.

Trajneri i përfaqësues së Kosovës tha më tej se si ekip kanë bërë gjitha përgatitjet, duke shtuar se “E dimë fuqinë e Turqisë dhe që ka një trajner të mirë”.

Kapiteni Samir Ujkani, duke folur në konferencë tha se ekipi është gati për ndeshjen e nesërme dhe sipas tij diferencën do e bëjë organizimi dhe dëshira për të fituar ndeshjen.

Ndeshja kualifikuese për “Botërorin 2018” Kosovë-Turqi do të zhvillohet nesër në stadiumin “Loro Boriçi”, me fillim në orën 20:45.

Kosova ndodhet në grupin I, së bashku me Kroacinë, Turqinë, Islandën, Finlandën dhe Ukrainën. Kosova gjendet në vendin e gjashtë në grup, me 1 pikë, ndërsa Turqia në vendin e katërt me 8 pikë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne