Burkina Faso nxitet të hetojë vrasjen e 31 të arrestuarve

Human Rights Watch (HRW) sot i bëri thirrje Burkina Fasos që të hetojë vrasjen e 31 civilëve të paarmatosur, të cilët u arrestuan nga forcat e sigurisë gjatë një operacioni kundër terrorizmit në veri të vendit.

Vrasjet ndodhën më 9 prill, në Djibo, rreth 200 kilometra në veri të kryeqytetit Ouagadougou, tha HRW në një raport të bazuar në intervista me 17 dëshmitarë.

“Kjo nuk ishte një betejë”, një tregtar i tregoi vëzhguesit.

“Nuk pati shtënie armësh para arrestimeve. Nëse do të kishte pasur tensione, ose sulm … ne nuk do të kishim shkuar tek pusi, klinika, ose në fushat tona”, citoi raporti një të moshuar.

“Si mund të hidhen njerëz të paarmatosur në një automjet dhe të vriten nga ushtria jonë pa u marrë në pyetje apo gjykuar?”, Citohet të thoshte një person tjetër, i cili ka humbur vëllain e tij në incident.

“Banorët lokalë theksuan se një numër i personelit të forcave të sigurisë ishin të përfshirë në operacionin e 9 prillit”, thuhet në raport.

“Viktimat u arrestuan në disa lagje, ose sektorë derisa ecnin ose qëndronin ulur para shtëpive të tyre. Ata u morën në një kolonë prej rreth 10 automjetesh ushtarake përfshirë kamionçinash, makina të blinduar dhe motoçikleta”, thuhet më tej duke cituar dëshmitarët.

Banorët, thuhet në raport, besojnë se ata ishin në shënjestër për shkak të pranisë së fundit të disa grupeve të armatosura rreth Djibo.

“Duket se jemi ndëshkuar për praninë e tyre të thjeshtë,” tha një dëshmitar okular.

“Qeveria duhet të hetojë menjëherë dhe paanshëm vrasjet dhe t’i mbajë përgjegjës të gjithë ata që janë përgjegjës, pavarësisht nga niveli”, thuhet në raport./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne