Burundi shpall “person të padëshiruar” përfaqësuesin e OBSH-së

Shteti afrikan Burundi ka shpallur “person të padëshiruar” përfaqësuesin lokal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe tre ekspertë të lartë shëndetësor, duke i akuzuar se kanë ndërhyrë në çështjet e brendshme të shtetit para zgjedhjeve të përgjithshme të parapara më 20 maj.

Ministria e Punëve të Jashtme të Burundit i dërgoi një notë diplomatike Zyrës Rajonale të OBSH-së për Afrikën dhe zyrës së saj në Burundi duke i bërë thirrje përfaqësuesit të OBSH-së në Burundi, Walter Kazadi Mulombo, si dhe ekspertëve Daniel Tarzy, Ruhana Mirindi Bisimwa dhe Jean Pierre Mulunda Nkata, që të lëshojnë vendin deri më 15 maj.

Shtatë kandidatë konkurrojnë për zyrën e presidentit Pierre Nkurunziza, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2005, pasi autoritetet njoftuan më 7 prill se zgjedhjet do të zhvillohen pavarësisht koronavirusit të ri (COVID-19).

Burundi u përfshi nga dhuna në vitin 2015 kur Nkurunziza njoftoi kandidaturën e tij për një mandat të tretë të kontestueshëm, ndonëse sipas kushtetutës së vendit lejohen vetëm dy mandate.

Sipas të dhënave të OKB-së, kriza shkaktoi qindra të vdekur dhe detyroi qindra mijëra persona të largoheshin nga vendi për të kërkuar strehim në shtetet fqinje.

Dhjetorin e kaluar, Nkurunziza tha se nuk do të garonte për një mandat të ri.

Sipas të dhënave të Universitetit amerikan “Johns Hopkins”, Burundi deri më tani ka 15 raste të konfirmuara me COVID-19, përfshirë një rast të vdekjes dhe shtatë të shëruar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne