Cambridge Analytica edhe në Shqipëri: u krijuan faqe ku sulmoheshin muslimanët, Erdogan, Rama, Papa Françesku dhe Adem Jashari

Skandali i Cambridge Analytica që tronditi SHBA-në dhe Europën ka përfshirë edhe Shqipërinë.

Qarqe të interesuara për sulmin kibernetik, kanë arritur të grabisin të dhëna edhe në rrjetin shqiptar të Facebook-ut dhe kanë tentuar që të sjellin trazira në Shqipëri duke hapur faqe që do të sillnin përplasje civile në vend.

Në mënyrë perfide, këto faqe synojnë të helmojnë atmosferën e bashkëjetesës fetare dhe sociale në vend, duke sulmuar sentimentet e njerëzve.

Agjencitë Europiane që po hetojnë skandalin e madh të spiunazhit nëpërmjet rrjeteve sociale, kanë arritur të zbulojnë dhe pjesën shqiptare.

Ky fenomen po hetohet prej kohësh nga Agjencitë e Zbatimit të Ligjit në vend, ku në krye qëndron natyrisht Shërbimi Informativ Shtetëror.

Para disa ditësh, në një fjalim të mbajtur në Parlamentin Europian, kreu i Facebook-ut Mark Zuckemberg pranoi fajin dhe bëri të ditur se kompania e tij po bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese të vendeve të BE-së për të pastruar të gjithë rrjetin nga ky fenomen i frikshëm.

Një nga skemat e këtij sulmi në Shqipëri që financohet nga qarqe të interesuara për trazira, është një fushatë agresive në rrjet kundër muslimanëve shqiptarë, duke bërë thirrje madje edhe për prishjen e xhamive.

Gjithçka ndodhet nën hetim dhe sipas burimeve është arritur të vihet re se një pjesë e madhe e subjekteve që komentojnë dhe ushqejnë urrejtjen janë adresa false, ndërkohë që në këtë rrjet kanë rënë mjaft njerëz që ushqejnë ndjenja antimuslimane.

Sipas ekspertëve që po hetojnë këtë fenomen, është zgjedhur një strategji perfide që arrin përçarjen.

Këto faqe synojnë sulm ndaj qeverisë “Rama”, sulmohen egërsisht muslimanët dhe aleanca e Edi Ramës me presidentin turk Rexhep Tajjip Erdogan.

Ajo që e lidh këtë lloj faqe me të tjerat, pjesë e sulmit kibernetik të Cambridge Analytica është se të gjitha kanë një linjë lidhjeje: sulm frontal ndaj Angela Merkelit, Emanuel Macronit dhe më tej përkrahen forcat e djathta populiste në Europë.

Njëra prej këtyre faqeve që titullohet “genocide turk ndaj shqiptarëve”, ka vënë në shënjestrën e vet muslimanët, objektet e kultit, klerikët, figurat apo edhe personazhet publike të besimit islam, Edi Ramën, Erdoganin, si dhe krerët e Kosovës, e në veçanti kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Është e çuditshme se i vetmi politikan që përkrahin në Kosovë është Ramush Haradinaj, që cilësohet si antimusliman.

Në qendër të sulmit të kësaj faqeje është dhe heroi Adem Jashari dhe familja e tij, duke theksuar faktin se ata janë të besimit musliman.

Heroizmi dhe sakrifica sublime e familjes “Jashari” cilësohet si një “veprim kamikaz”.

Nga ana tjetër, kjo faqë ka një veneracion ndaj Izraelit dhe hiqet sikur mbron katolikët shqiptarë.

Por gjatë hetimit është kapur një detaj që “kërcet” në linjën e ndjekur për të trullosur njerëzit.

Ndërkohë që hiqet si faqe pro kristiane, njeriu më i sulmuar nga ajo është Papa Françesku, kurse shpreh një simpati ndaj Patriarkut rus, Kirilli, i cili vizitoi Shqipërinë muajin e kaluar.

Faqja nën hetim nuk se përkrah hapur ndonjë politikan në Shqipëri, por të gjithë partitë i cilëson si “përkrahëse të Erdogan”.

Moska, Athina, lideri i Lega-s Salvini por edhe Marine Le Pen në Francë lëvdohen, natyrisht edhe ushtria e Izraelit që cilësohet si “heroinë” ndaj arabëve.

Një tjetër detaj pikant i vënë re është pikërisht një përkrahje e hapur e kurdëve dhe kauzës kurde. Madje ajo shpesh nxjerr përkrahjen për një shtet të përbashkët ndërmjet Izraelit dhe kurdëve.

Nga hetimet paraprake është mësuar se administratorët e saj janë qarqe profesioniste dhe jo persona me tru të dëmtuar.

Shërbimet sekrete të vendeve të BE-së, bashkë me Inteprolin kanë nisur një hetim të gjerë në të gjithë Europën për skandalin e luftës online.

Në zgjedhjet italiane të 4 marsit, u arrit të zbulohet një makineri e gjerë e lajmeve të rreme dhe të nxitjes së urrejtjes, gjë që mendohet që edhe ka ndikuar në elektorat.

Siç mësohet, më të sukseshshëm për të parandaluar fenomenin kanë qenë francezët dhe gjermanet, të cilët arritën të ndalojnë ndikimin e sulmit kibernetik në zgjedhje. /tesheshi.com/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne