Bota

Canikli: S’do të ketë vonesa në udhërrëfyesin për Menbixhin dhe dorëzimin e avionëve F-35

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Nurettin Canikli, deklaroi të premten se nuk do të ketë vonesa apo sorollatje në udhërrëfyesin për qytetin sirian të Menbixhit, sipas marrëveshjes së arritur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nurettin Canikli iu përgjigj interesit të gazetarëve pas takimit të tij me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James (Jim) Mattis, në Bruksel, në kuadër të Takimit të Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s.

Duke shpjeguar vendimet e marra në lidhje me udhërrëfyesin që do të ndiqet në Menbixh, ministri Canikli vuri në pah se forcat turke dhe amerikane do të patrullojnë dhe realizojnë së bashku veprimet e sigurisë në Menbixh.

“Ne diskutuam një sërë çështjesh, sidomos në lidhje me udhërrëfyesin për Menbixhin. Kjo ishte një bisedë gjithëpërfshirëse, ​​konstruktive dhe pozitive. Në takim u potencua se nuk do të ketë kurrfarë vonesash apo sorollatjesh në realizimin e udhërrëfyesit për Menbixhin. Implementimi i tij do të nisë brenda kohës më të shkurtër të mundshme”, sqaroi ai.

Sipas ministri turk të Mbrojtjes Kombëtare, nëse udhërrëfyesi për Menbixhin rezulton i suksesshëm, atëherë një metodë e re funksionale mund të aplikohet edhe në zona të tjera të Sirisë.

Nuk priten vonesa në dorëzimin e avionëve F-35

Tjetër kapitull i rëndësishëm i takimit Canikli-Mattis ishte edhe ai në lidhje me dorëzimin e avionëve luftarakë, F-35, Turqisë nga SHBA-ja.

“Kemi paguar mbi 800 milionë dollarë. Parashikohet një blerje e 100 avionëve në total dhe kostoja e kësaj është mbi 11 miliardë dollarë. Në rast se në rend të ditës ngrihen politika apo merret një vendim që bie ndesh me marrëveshjet për gjuajtësit F-35, atëherë ne pa dyshim që do të detyrohemi të marrim masat tona dhe sigurisht që do të kërkojmë zgjidhje të tjera”, u shpreh ministri turk duke nënvizuar se nuk pret ndonjë vonesë në lidhje me dorëzimin e këtyre avionëve të gjeneratës së pestë.

Turqia – shtoi ai – ka dhënë çdo garanci të mundshme se sistemet e mbrojtjes ajrore, S-400, që ne do të marrim nga Rusia, nuk do të përbëjnë kërcënim për njësitë e NATO-s.

Mbi 500 terroristë të neutralizuar në Irakun Verior

Më tej, Canikli u ndal mbi luftën antiterrorizëm të Turqisë. Ai tha se të gjithë ministrave të Mbrojtjes së Aleancës, me në krye homologët e tij nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca, të cilët kërkuan takime të veçanta, ua ka bërë më se të qartë vendosmërinë e paepur të Turqisë në luftën kundër terrorizmit.

“Çdo vend ku ka prani të terrorizmit, është një kërcënim i natyrshëm për Turqinë. Kjo vlen për të gjitha strofkat terroriste, përfshi këtu zonat e Sinxharit dhe Mahmurit në Irak. Ne po bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të çrrënjosur terrorizmin plotësisht dhe do të shkojmë deri në fund”, siguroi ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare.

Në fund, ai dha informacione rreth operacionit me mbështetje ajrore në Irakun Verior.

“Që prej marsit e deri më sot, në operacionet që po realizohen në zonat veriore të Irakut me sisteme dhe armatime të prodhimit vendor, janë neutralizuar mbi 500 terroristë”, tha ministri Canikli./ trt

OPINIONE