Carovska: Ligji për subvencionimin e kontributeve për rritje të rrogës jep rezultate

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) e Maqedonisë së Veriut, Mila Carovska dhe drejtoresha e Drejtorisë për të ardhura publike, Sanja Lukarevska, sot në konferencë shtypi theksuan se Ligji i ri për subvencionimin e kontributeve për rritjen e rrogave që filloi që para një muaji është duke dhënë rezultate të shkëlqyeshme.

Ministrja Carovska, tha se në 11 muaj, 44.940 të punësuar në sektorin real kanë marrë rrogë të rritur, gjegjësisht për ta nuk është shfrytëzuar masa për subvencionimin e kontributeve.

“Në pajtim me këtë Ligj për subvencionimin e kontributeve, punëdhënësit mund të liroheshin ose janë liruar nga pagesa e kontributeve për rritjen e rrogës prej 600 deri në 6000 denarë”, tha Carovska.

Duke theksuar se numri i përgjithshëm në sektorin real është rreth 490.000 të punësuar dhe se 9 për qind e tyre kanë fituar rritje të rrogave me këtë masë, Carovska tha se këto rezultate tregojnë se vetëm për një muaj të implementimit të masës është arritur gjysma e projeksionit të 20 për qind përfshierje.

Drejtoresha e Drejtorisë për të ardhura publike (DAP), Sanja Lukarevska, tha se miratimi i subvencioneve ka qenë shumë i lehtë për punëdhënësit përmes parashtrimit të formularit MPI.

“DAP dhe MPPS-së mbanin llogari që punëdhënësit në mënyrën më të thjeshtë të mund ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, me ç’rast dispozitat ligjore dhe zgjidhje softuerike mundësojnë shfrytëzimin e subvencionimit me vetë parashtrimin e përllogaritjes së MPI deri te Drejtoria për të ardhura publike”, theksoi Lukarevska.

Sipas raportit të DAP për shfrytëzimin e masës për subvencionimin e kontributeve nga sigurimi i detyrueshëm social lidhur me rritjen e rrogës për muajin tetor të vitit 2019, 422 punëdhënës për 6.584 persona kanë shfrytëzuar të drejtën e subvencionimit të kontributeve në shumë prej 6 milionë e 474 mijë e 587 denarë, ndërsa për muajin nëntor kjo shifër është edhe më lartë dhe arrin 7.613 punëdhënës të cilët shfrytëzuan të drejtën e subvencionit për 44.940 persona.

Angell Dimitrov, i cili është kryetar i Organizatës së punëdhënësve të Maqedonisë, theksoi se i inkurajon punëdhënësit që të aplikojnë për këtë masë dhe të mos frikësohen për ndonjë prapavijë se do të vijnë kontrolle nëpër ndërmarrjet./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne