Bota

Çavusoglu: Askush nuk mund t’i diktojë Turqisë se çfarë duhet të bëjë

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi mbrëmjen e së enjtes se askush nuk mund t’i diktojë vendit të tij se çfarë duhet të bëjë.

Çavusoglu iu përgjigj nga llogaria e tij në “Twitter” kërcënimeve të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe ndihmësit të tij, Mike Pence, se do të aplikojnë sanksione ndaj Turqisë në rast se nuk lirohet prifti i dyshuar për lidhje me organizatën terroriste gyleniste (FETO), Andrew Brunson, masa e arrestit me burg të së cilit u zëvendësua të mërkurën me arrest shtëpiak.

“Askush nuk mund t’i diktojë Turqisë se çfarë duhet të bëjë. Ne s’do të tolerojmë kurrë kërcënime nga askush. Sundimi i ligjit vlen për të gjithë, s’ka përjashtim”, shkruan kryediplomati turk në rrjetin social, “Twitter”.

Nga e njëjta platformë sociale, kreu i Shtëpisë së Bardhë kishte postuar më parë mesazhin se “SHBA-ja do të aplikojë sanksione nëse prifti Brunson nuk lirohet”.

Përpara mesazhit të Trumpit në “Twitter”, ndihmëspresidenti Pence kishte deklaruar se do të vazhdojnë punën për të kthyer Brunsonin në SHBA duke shtuar se Turqia do të përballet me sanksione në rast se nuk liron priftin amerikan./ trt

OPINIONE