Çavusoglu: Askush s’do t’ia dalë të pengojë aktivitetet e Turqisë në Mesdheun Lindor

Në kuadër të vizitës së tij në Republikën Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Çavusoglu mori pjesë në një takim me qytetarët në Yeni Erenkoy.

Ai theksoi gjatë fjalës së rastit se Turqia është dhe do të vazhdojë të jetë në krah të popullit turkoqipriot pa hezituar aspak dhe pa bërë asnjë lëshim.

Çavusoglu rikujtoi gjithashtu se pala turke ka propozuar themelimin e një komisioni të përbashkët që të paraqesë një rrugë zgjidhjeje maksimalisht të drejtë dhe pjesëmarrëse në lidhje me burimet në Mesdheun Lindor.

“Pjesa grekoqipriote e refuzoi atë me t’u njoftuar. Sepse problemi tyre është diçka tjetër. Ne duam t’i paralajmërojmë ata që këtu: Kushdo qoftë ai pas të cilit ju strehoheni këtu, qoftë Bashkimi Evropian, qoftë Greqia apo kushdo që të jetë, askush nuk mund t’i pengojë dhe s’do t’ia dalë t’i pengojë aktivitetet tona këtu. Ajo çfarë duhet të bëni këtu është të mësoni si të ndani (resurset)”, u shpreh ministri turk i Punëve të Jashtme.

Sipas tij, pala grekoqipriote vazhdon të kryejë aktivitete për hidrokarburet në Mesdheun Lindor pavarësisht të gjitha paralajmërimeve të Turqisë.

“Ne u thamë atyre se mbi pasuritë e hidrokarbureve përreth Ishullit ka të drejtë edhe populli turk i Qipros dhe sigurisht u komunikuam atyre gjithashtu se nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që populli turkoqipriot të humbasë të drejtën”, potencoi Çavusoglu.

Duke tërhequr vëmendjen se tashmë pala turke nuk do të tolerojë më sorollatje për çështjen e Qipros, shefi i diplomacisë turke nënvizoi se do të shfaqin një qëndrim të vendosur për të marrë të drejtat e popullit turkoqipriot të shpërfillura deri më sot.

“Në njërën anë do të qëndrojmë drejt e të palëkundur dhe në anën tjetër do të vazhdojmë të punojmë”, shtoi ai,

Mevlut Çavusoglu u dha turkoqipriotëve edhe sihariqin për hapjen së shpejti të Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Gazimagusë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne