Çavusoglu: Asnjë sanksion s’mund të pranohet kur diskutohet mbrojtja e sigurisë kombëtare

Kjo deklaratë e shefit të diplomacisë turke erdhi gjatë seancës informuese të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë lidhur me operacionin “Burimi i Paqes”.

Ai e shpjegoi shqetësimin e disa vendeve për operacionin antiterrorist turk me këto fjalë: “Shkaku i këtij shqetësimi është se ne prishëm këtë lojë. Ata donin të themelonin këtu një shtet terrorist. Edhe shkaku që po na sulmojnë kaq shumë neve, është zhgënjimi i tyre nga fakti që ne ua prishëm këtë lojë, është një rezultat i saj.”

Duke vënë në pah se Turqia e shikon dhe e di shumë mirë qëndrimin hipokrit të Perëndimit, Çavusoglu tha se për fat të keq, bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për krijimin e zonës së sigurt kanë rezultuar të pafrytshme dhe se mbështetësit e organizatave terroriste as që duan t’ia dinë për integritetin territorial të Sirisë.

Sa i përket situatës në lidhje me anëtarët e burgosur të DAESH-it, kryediplomati turk potencoi se dërgimi i të gjithë terroristëve të huaj në vendet përkatëse është zgjidhja më rrënjësore.

Çavusoglu u ndal më tej edhe mbi vendimin e SHBA-së për të sanksionuar Turqinë.

“Qëndrimi ynë për politikat dhe vendimet e njëanshme të SHBA-së është i maksimalisht i qartë. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave tona ekzistenciale të sigurisë kombëtare, të gjitha mendimet e tjera janë hollësi. Në një kohë të tillë, asnjë sanksion apo kërcënim, pavarësisht se nga vjen, nuk mund të pranohet dhe s’mund të influencojë vendosmërinë tonë. Sigurisht që ne do të ndërmarrim hapat e nevojshme dhe do t’u japim përgjigjen e duhur këtyre sanksioneve në kuadër të reciprocitetit”, vlerësoi ministri turk i Punëve të Jashtme./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne