Çavusoglu: Deklarata e Netanyahu-t është e turpshme

Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, e quajti si “të turpshëm” qëllimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të aneksuar pjesë të mëdha të tokave të pushtuara në Bregun Perëndimor.

Çavusoglu u adresua në takimin emergjent të ministrave të jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) të mbajtur në Xhide të Arabisë Saudite, ku u diskutua deklarata e kryeministrit izraelit për aneskimin e territoreve të pushtuara.

“Kjo deklaratë e turpshme është një përpjekje e ulët për të fituar disa vota më shumë në zgjedhjet e ardhshme në koston e shkatërrimit të shpresave për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, tha kryediplomati turk.

Në fillim të kësaj jave, Netanyahu, duke u bërë thirrje votuesve të tij përpara zgjedhjeve të parapara për 17 shtator, tha: “Unë njoftoj qëllimin tim për të zbatuar sovranitetin e Izraelit mbin Luginën e Jordanit dhe Detin e Vdekur, nëse qytetarët izraelitë më zgjedhin mua”.

Shefi i diplomacisë turke tha se okupimi i Izraelit në territoret palestineze ka shkaktuar dëme të mëdha në jetën e përditshme të palestinezëve.

Ai theksoi se Izraeli, i inkurajuar me mbështetjen e disa vendeve, vazhdon me politikat agresive që kanë filluar të shndërrohen në një regjim racist aparteid, duke i bërë thirrje botës islame të solidarizohet me çështjen palestineze.

“Sikur i tërë umeti të reagonte në mënyrë të zëshme dhe së bashku, atëherë këto plane, politika dhe sjellje të pamatura të SHBA-së dhe Izraelit nuk do të vinin në këtë pikë”, deklaroi Çavusoglu.

Ndryshe, afërsisht 70.000 palestinezë, së bashku me rreth 9.500 banorë hebrenj, aktualisht jetojnë në Luginën e Jordanit, e cila është një tokë e madhe dhe pjellore, që përbën afërsisht një të katërtën e territorit të përgjithshëm të Bregut Perëndimor.

Turqia, Liga Arabe dhe vendet evropiane janë shprehur të shqetësuar nga deklarata e Netanyahu, ndërkohë që zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Stephane Dujarric ka thënë se plani i aneksimit do të shkelte të drejtën ndërkombëtare.

E drejta ndërkombëtare e cilëson Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor si “territore të pushtuara” dhe i konsideron të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve kolone hebreje atje si të paligjshme./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne