Çavusoglu: E ashtuquajtura “Marrëveshja e Shekullit”, asgjë tjetër përveçse një plan uzurpimi

Pas Takimit Vlerësues të Brendshëm të Ministrisë së Jashtme, organizuar në Ankara me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë dhe përfaqësuesve lokalë të Ministrisë së Jashtme, Çavusoglu iu përgjigj interesit të gazetarëve në lidhje me rendin e ditës.

Duke u ndalur mbi të ashtuquajturin “plani i paqes për Lindjen e Mesme”, të cilin Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka quajtur “Marrëveshja e Shekullit”, shefi i diplomacisë turke rikujtoi edhe një tjetër herë qëndrimin e Ankarasë me këto fjalë: “Qëndrimi ynë si Turqi është i qartë që prej fillimit. Edhe nëse mbetemi vetëm, ne do ta mbrojmë gjithmonë kauzën tonë të përbashkët, Jerusalemin. Ne s’do t’i braktisim në vetmi asnjëherë vëllezërit tanë palestinezë.”

Çavusoglu theksoi gjithashtu mbështetjen e Turqisë lidhur me vendimin e Ligës Arabe për të refuzuar planin e rrezikshëm të Trumpit për Palestinën.

“Ky s’mund të jetë asgjë tjetër përveçse një plan uzurpimi. Ne patëm dyshime për shkak të deklaratave të disa vendeve rreth planit, mirëpo në komunikatën e Ligës Arabe ka një unitet. Të njëjtin unitet ne duam ta shohim edhe në Organizatën e Bashkëpunimit Islam”, u shpreh ministri turk i Punëve të Jashtme duke potencuar se pseudoplani i paqes për Lindjen e Mesme është absolutisht i papranueshëm.

Më tej ai vuri në pah rëndësinë e solidaritetit për kauzën palestineze.

“Ne duhet ta ruajmë këtë unitet e solidaritet edhe gjatë procesin në vijim për t’i bërë ballë këtij plani të papranueshëm dhe për të intensifikuar përpjekjet tona në drejtim të paqes së qëndrueshme mbi parametrat e Kombeve të Bashkuara”, tha kryediplomati turk.

Mevlut Çavusoglu do të përfaqësojë Turqinë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Organizatës së Bashkëpunimit Islam me temë Palestinën, e cila do të mbahet të hënën në qytetin Xhidë të Arabisë Saudite./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne