Çavusoğlu inkurajon mbështetjen e shtetit palestinez

Në vazhdën debatit rreth Xhamisë Al Aksa në Jerusalem, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavusoğlu, të martën i bëri thirrje botës muslimane të tregojë mbështetjen e saj për palestinezët duke njohur shtetin e Palestinës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Le të mbështesim me vepra, e jo vetëm me fjalë, miliona palestinezë të cilët janë detyruar të qëndrojnë nën okupimin e Izraelit ose të ikin jashtë vendit”, tha Mevlüt Çavusoğlu, në takimin në Stamboll të ministrave të jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI).

“Ne ftojmë të gjithë ata që kanë ngritur zërin për ta ndaluar këtë padrejtësi dhe ta njohin shtetin palestinez. Një shtet i pavarur palestinez brenda kufijve të vitit 1967 duhet të krijohet sa më shpejt që është e mundur”, tha Çavusoğlu.

Ai gjithashtu përsëriti mbështetjen e Ankarasë për të ringjallur procesin e paqes në kuadër të zgjidhjes me dy shtete – një zgjidhje paqeje e cila bën thirrje për një Palestinë të pavarur krahas Izraelit. “Ne të gjithë i mbështesim përpjekjet e ringjalljes së procesit të paqes. Por nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa ligj dhe drejtësi,” shtoi ai.

Shefi i diplomacisë turke i bëri thirrje muslimanëve të bashkohen për të mbrojtur xhaminë e shenjtë dhe popullin e Palestinës. “Tërheqja jonë vetëm se kënaq armiqtë e Islamit. Ne duhet të veprojmë më me vetëdije për të mbrojtur Xhaminë Al Aksa dhe Palestinën … Ne duhet ta vazhdojmë luftën tonë në mënyrë më efektive në arenën ndërkombëtare,” shtoi ai.

Hapat e Izraelit, të mirëpritur

Çavusoğlu mirëpriti hapat e Izraelit për të hequr detektorët e metalit të instaluar rreth kompleksit të xhamisë. “Izraeli bëri një hap në drejtimin e duhur. Shpresa jonë është që Izraeli të përvetësojë një qëndrim që do të marrë plotësisht parasysh ndjeshmërinë e muslimanëve ndaj Al Aksasë nga tani e tutje,” tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i OBI-së, Jusuf el-Usejmin, tha se shkeljet e vazhdueshme të Izraelit në Jerusalemin Lindor vendosin përgjegjësi mbi supet e shteteve anëtare të OBI-së.

El-Usejmin shtoi se popullit palestinez duhet t’i sigurohet mbrojtja e nevojshme ndërkombëtare. “Takimi është i një rëndësie të madhe për koordinimin midis shteteve anëtare të OBI-së, në luftën e saj kundër planit të Izraelit për të okupuar Al Aksanë,” theksoi ai.

Ndërkaq, më pas, duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me El-Usejmin dhe ministrin e Jashtëm palestinez Riyad al-Maliki pas takimeve të jashtëzakonshme të ministrave të jashtëm për të shqyrtuar situatën në Xhaminë Al Aksa, Çavusoğlu tha se refuzohet çdo përpjekje për të dëmtuar “të drejtën e sovranitetit të shtetit palestinez mbi kryeqytetin e saj Jerusalemi Lindor”.

Ai tha se Al Aksa është një nga tre faltoret më të shenjta të Islamit, gjë që u theksua qartë në komunikatën përfundimtare të OBI-së.

Çavusoğlu përsëriti mbështetjen e Turqisë për përpjekjet ndërkombëtare për të ringjallur procesin e paqes. Ai nënvizoi se “është detyrë e botës islame të qëndrojë pranë popullit të Jerusalemit”.

El-Usejmin, nga ana tjetër, tha se bota muslimane shprehu kërkesat e saj në unitet, të cilin ai e quajti ” fitore kundër cionizmit”.

“Vendet islame kanë marrë një qëndrim të përbashkët për herë të parë përballë praktikave arbitrare të imponuara nga Izraeli ndaj Al Aksasë. Situata në Al Aksa ka të bëjë me sovranitetin e saj, që është përgjegjësi e muslimanëve dhe jo e Izraelit”, tha ai.

Ndërkaq, Al-Maliki falënderoi të gjitha vendet, veçanërisht Turqinë, për mbështetjen e Palestinës dhe tha se pa këto përpjekje, rezultatet e tilla të shpejta nuk do të ishin të mundura. “Ne kemi fituar këtë luftë, por lufta vazhdon, kështu që ne gjithmonë kemi nevojë për mbështetje,” shtoi ai.

Takimi i OBI-së vijon pas polemikave mbi shkeljet izraelite në Xhaminë Al Aksa të Jeruzalemit javëve të fundit, kur Izraeli vendosi detektorë metalikë në Al Aksa dhe shtoi masat pas një incidenti në oborrin e kompleksit më 14 korrik.

Turqia aktualisht mban presidencën e organizatës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne