Çavusoglu: Me ministrin Zarif i vlerësuam zhvillimet e fundit në rajon

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) bëri të ditur se pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) nga marrëveshja bërthamore me Iranin, procesin janë duke e vlerësuar së bashku me Bashkimin Evropian (BE).

Ministri Çavushollu bëri disa vlerësime pas takimit me homologun e tij iranian, Xhevad Zarif (Javad Zarif) në qytetin Isfahan të Iranit.

Shefi i diplomacisë turke tërhoqi vëmendjen se tensionimi në rajon po vjen duke u rritur çdo ditë e më shumë, ndërsa shtoi se ata realizuan një vizitë në Iran në një kohë kur u jetuan ngjarjet me anijet cisternë në Gjirin e Omanit, kur Irani rrëzoi një dron të ShBA-së dhe në një kohë kur po zbatohen sanksionet.

Çavushollu tha se gjatë kësaj vizite gjetën rastin që me homologun e tij Zarif t’i bëjnë një vlerësim se çfarë mund të bëhet në lidhje me sanksionet.

Ai rikujtoi se Presidentët, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) dhe Hasan Ruhani (Hassan Rouhani) javën e kaluar u takuan në kuadër të Samitit të 5-të të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Konferencës së Bashkëpunimit dhe të Masave për Rritjen e Besimit në Azi (AIGK) që u organizua në kryeqytetin Dushanbe të Taxhikistanit dhe shtoi se me ministrin Zarif ndoqën vendimet e marra nga presidentët në këtë samit.

Duke bërë të ditur se së shpejti mes Iranit dhe Turqisë do të mbahet mbledhja e Komisionit të Përzier Ekonomik (KEK), ministri Çavushollu tha se Turqinë do të vizitojnë edhe shefi i Zyrës së Presidencës së Iranit, Mahmud Vaizi dhe ministri i Energjetikës së Iranit, Riza Erdekanijan.

Çavushollu bëri të ditur se me homologun e tij iranian gjetën rastin për të biseduar në lidhje me çështje të ndryshme si tregtia me valuta kombëtare dhe vëllimi tregtar dypalësh dhe çështjet konsullare dhe të transportit, ndërsa shtoi se me Zarif kanë nënshkruar edhe Planin e Konsultimeve mes dy vendeve.

Ai shpjegoi se gjatë procesit në vijim ministrat e jashtëm të dy vendeve do të takohen për konsultime çdo 6 muaj, ndërsa gjatë ditëve tjera konsultimet do të zhvillohen në nivel të zëvendësministrave, drejtorëve të përgjithshëm dhe të nëpunësve të lartë.

Çavushollu tërhoqi vëmendjen se të dy vendet janë anëtare të mekanizmave dypalëshe dhe trepalëshe rajonale dhe tha se “Gjatë periudhës së ardhshme ne duhet t’i formojmë këto mekanizma edhe me Irakun. Jemi të vendosur në këtë drejtim”.

Pas përfundimit të kontakteve ministri Çavushollu u kthye në vend./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne