Çavuşoğlu: Në KE do të shënojmë përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, sot deklaroi se më 11 korrik në Këshillin e Evropës për herë të parë do të përkujtohet gjenocidi në Srebrenicë dhe se vendi i tij e mbështet këtë, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu qëndroi në qytetin turk Konya, ku foli në një konferencë të organizuar nga Drejtoria Shtetërore për Çështje Fetare të Turqisë.

Me këtë rast, ministri turk foli gjithashtu për problemin e anti-islamizmit, i cili gjithnjë e më shumë është i pranishëm në planin global.

“Kur shohim shkaqet e anti-islamizmit, mund të shohim se mbështetësit e saj nuk kanë argumente bindëse dhe të kënaqshme. Ne besojmë se shkaku i gjithë kësaj është populizmi. Për fat të keq, sot ne jemi dëshmitarë të faktit se partitë politike si dhe politikanët dhe mediat, të cilat ushqehen me populizëm, kontribuojnë në përhapjen e armiqësisë ndaj Islamit dhe emigrantëve”, ka thënë Çavuşoğlu.

Ai gjithashtu rikujtoi 15 marsin, ditën kur u krye sulmi terrorist ndaj muslimanëve në Zelandën e Re gjatë faljes së namazit të xhumasë.

“Ne nuk shohim kurrfarë dallimi midis sulmit në xhamitë e Zelandës së Re dhe kishës në Sri Lankë. Të dyja janë sulme tradhtare, terroriste. Për fat të keq, bota sot këtë nuk e sheh siç e shohim ne. Ne hedhim poshtë çdo formë të diskriminimit, anti-islamizmit, anti-semitizmit, si dhe armiqësitë ndaj krishterimit. I hedhim poshtë këto pasi që kështu kërkon feja jonë dhe këtë e konsiderojmë krim njerëzor”, ka thënë Çavuşoğlu.

Ai kujtoi se gjatë dy viteve ka ushtruar postin e kryetarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe se detyra e tij kryesore ishte mbrojtja e të drejtave të njeriut, demokracia, liria dhe sundimi i ligjit.

“Në Këshillin e Evropës më 11 korrik do të shënojmë përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë. Në Këshillin e Evropës deri më tani kemi përkujtuar Holokaustin dhe ngjarje të tjera negative në histori. Kjo është hera e parë që ne do të shënojmë përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë dhe ne e mbështesim këtë”, ka thënë Çavuşoğlu./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne