Çavusoglu në Ukrainë: Duam që Deti i Zi të jetë një det paqeje

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) tha se nuk duan që Deti i Zi të jetë një det tensioni.

Çavushollu dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Pavlo Klimkin, dhanë një konferencë të përbashkët shtypi pas takimit dypalësh dhe Mbledhjes së 7-të të Planifikimit të Partneritetit Strategjik Turqi-Ukrainë, që u zhvillua në qytetin Odesa.

Shefi i diplomacisë së Turqisë tha se i japin rëndësi sigurisë së Detit të Zi dhe shtoi: “Ne jemi një vend anëtar i NATO-s dhe mbështesim dhe japim kontribut në vendimet që merr Aleanca. Ne nuk duam që Deti i Zi të jetë një det tensioni. E kundërta, ne duam që Deti i Zi të jetë një det paqeje, qetësie dhe stabiliteti”.

Ai bëri të ditur se pas krizës së Ngushticës së Kerçit, ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) i përcolli disa herë mendimin dhe kërkesën Kryetarit të Shtetit të Rusisë si për lënien të lirë të anijeve, ashtu edhe për ekuipazhin e anijes dhe nënvizoi se do të vazhdojnë përpjekjen në këtë çështje.

Ai theksoi se për kriza të tilla duhet të sillen zgjidhje paqësore dhe shtoi: “Pas krizës së Ngushticës së Kerçit theksuam se problemi duhet të zgjidhet në kuadër të drejtësisë ndërkombëtare dhe në kuadër të tërësisë territoriale të kufijve të Ukrainës”.

“Në bisedimet e zhvilluara ne konfirmuam se duhet që të gjithë së bashku të marrim masa më të ashpra ndaj anijeve që shkelin drejtësinë, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare” tha Çavushollu.

Ministri turk u shpreh duke thënë: “Që këtu dua të shpreh edhe një herë në mënyrë të fuqishme mbështetjen që i japim tërësisë territoriale dhe integritetit kufitar të Ukrainës. Ne jemi shprehur edhe në të kaluarën se nuk njohim aneksimin e jashtëligjshëm të Krimesë dhe dua që këtu të përsëris edhe një herë se nuk do ta njohim asnjëherë aneksimin e Krimesë”.

“Theksuam edhe një herë vullnetin tonë të përbashkët në çështjen e vazhdimit të mbrojtjes së të drejtave të tartarët e Krimesë” tha Çavushollu duke vijuar se do të vazhdojnë përpjekjet për të sjellë në Ukrainë tartarët e burgosur në Rusi./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne