Çavusoglu: Nëse kriza humanitare në Idlib thellohet Turqia do të ndikohet më së shumti nga kjo

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu bëri të ditur që në qoftë se kriza humanitare në Idlib të Sirisë përkeqësohet, Turqia do të ndikohet më së shumti nga kjo situatë.

Ministri Çavusoglu në kuadër të sesionit të 74-të të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbajti një fjalim në mbledhjen e nivelit të lartë me temë Sirinë të organizuar nga Bashkimi Evropian.

Çavusoglu, i cili i bëri thirrje BE-së t’i përmbushë zotimet e dhëna Turqisë për çështjen e sirianëve, tha se “Në Idlib para syve tanë po jetohet një fatkeqësi. Nëse kriza humanitare thellohet Turqia do të ndikohet më së shumti nga kjo. Duke pranuar 4 milion njerëz, ne kemi tejkaluar kapacitetin tonë. Tani në portën tonë nga Idlibi ndodhen 300 mijë sirianë”.

Shefi i diplomacisë turke tërhoqi vëmendjen se numri i banorëve në Idlib është afërsisht sa numri i sirianëve të strehuar në Turqi, ndërsa shtoi se nuk do të mund të përballojnë një valë të tillë.

Çavusoglu theksoi se Turqia ka shpenzuar 40 miliardë dollarë për refugjatët sirianë dhe bëri të ditur se “zotimet e bëra nga ana e BE-së për këtë çështje janë shumë prapa nga ato që ka bërë Turqia deri më sot”.

Duke theksuar se Forumi Global i Refugjatëve që do të mbahet në Gjenevë në dhjetor do të jetë një mundësi e mirë për të ndihmuar refugjatët, ministri Çavusoglu përsëriti se ndihma për refugjatët ka përgjegjësi morale, prandaj presin mbështetje më të fortë, konkrete dhe të qëndrueshme.

Ai njoftoi se Turqia së bashku me Jordaninë, Libanin dhe Irakun planifikon të organizojë një konferencë për refugjatët, ndërsa shtoi se dëshirojnë që në këtë konferencë të shohin vendet e përfshira në këtë çështje me në krye vendet e BE-së./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne