Bota

Çavusoglu: Nga KiE presim qëndrim të paanshëm dhe konstruktiv

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu bëri të ditur se nga Këshilli i Evropës (KiE) presin një qëndrim të paanshëm dhe konstruktiv.

Çavusoglu, në fjalën e tij në hapjen e konferencës së Projektit për Mbështetjen e Zbatimit dhe Raportimit të Planit të Veprimit për të Drejtat e Njeriut në Stamboll tha se Turqia, e cila është njëra prej vendeve themeluese të Këshillit të Evropës, ka arritur suksese të rëndësishme dhe është duke i forcuar çdo ditë e më shumë marrëdhëniet e bazuara në interes reciprok.

Duke kujtuar se ata kanë miratuar më shumë se 2 mijë ligje në 20 vitet e fundit në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian (BE), ministri Çavusoglu tha se ata dëshirojnë që mbështetja e Këshillit të Evropës në këtë drejtim të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Shefi i diplomacisë turke tha se janë gjithmonë të hapur për kritika konstruktive, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Ne presim që Këshilli i Evropës, veçanërisht krahu parlamentar, të jetë neutral, konstruktiv dhe i lirë nga motivet politike. Ne gjithashtu presim që Këshilli i Evropës të intensifikojë përpjekjet e tij për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive çështjeve aktuale që po fillojnë të trondisin vlerat tona të përbashkëta, siç janë rritja e populizmit, diskriminimi, ksenofobia dhe antislamizmi”.

Ministri Çavusoglu gjithashtu bëri të ditur se Turqia do të vazhdojë me kontributet e saj për të ruajtur dhe avancuar vlerat e ndërtuara bashkërisht me qëllim forcimin e Këshillit të Evropës./trt

OPINIONE