Çavusoglu: Plani i Trumpit është dokument i aneksimit dhe shitjes së territoreve palestineze

Ky vlerësim i ministrit Çavusoglu erdhi gjatë fjalimit të tij në takimin e jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) në qytetin Xhidë të Arabisë Saudite.

Duke reaguar ndaj planit të rrezikshëm të Trumpit për Jerusalemin, kryediplomati turk tha se “plani është një imponim për të legjitimuar pushtimin dhe aneksimin izraelit në Jerusalem dhe Bregun Perëndimor”.

Ai theksoi gjithashtu se ky plan nuk mund të krijojë një mjedis negociatash ndërmjet dy palëve.

“Plani që kemi përpara është një dokument shitjeje, ku nga goja e SHBA-së diktohen kërkesat maksimaliste të Izraelit. Ai synon t’i dënojë palestinezët përjetësisht me pushtimin izraelit dhe dhimbjet që sjell ky pushtim. Është një plan i hartuar për të realizuar ëndrrat më imorale të sionistëve dhe përkrahësve të tyre”, u shpreh Çavusoglu.

Me pretekstin e sigurisë së Izraelit – vijoi shefi i diplomacisë turke – plani orvatet ta shfaqë të gjithë popullin palestinez si terroristë potencialë që duhen izoluar.

Sipas tij, ky plan zhduk vizionin e zgjidhjes me dy shtete dhe imponon zgjidhjen me një shtet të vetëm për Izraelin, ku realisht do të ekzistojnë vetëm hebrenjtë.

“Në këtë aspekt, synimi i vërtetë i planit është përligjja e shtetit të aparteidit të krijuar me pushtimet izraelite që vazhdojnë prej tashmë gjysmë shekulli. Duke vepruar kështu, ai i konsideron palestinezët si njerëz të klasës së dytë dhe i poshtëron ata”, tha Çavusoglu.

Pasi e përgëzoi Ligën Arabe për refuzimin e këtij plani, ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë potencoi se të gjitha shtetet anëtare të Ligës Arabe, në përputhje me këtë qëndrim të mirëpritur, duhet të pozicionohen vendosmërisht në të njëjtin kah edhe kundër SHBA-së./Trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne