Çavusoglu: S’mund të arrijnë kurrkund me gjuhë kërcënuese, megjithatë takim konstruktiv me Pompeon

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, njoftoi se i ka përcjellë Shteteve të Bashkuara të Amerikës mesazhin që “s’mund të arrijnë kurrkund me gjuhë kërcënuese”.

Në kuadër të Takimit 51. të Ministrave të Jashtëm të Shoqatës së Kombeve të Azisës Juglindore (ASEAN), mbajtur në Singapor, Mevlut Çavusoglu pati një takim me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Krahas luftës antiterrorizëm dhe zhvillimeve në Siri, ata morën në shqyrtim gjithashtu vendimin skandaloz që administrata amerikane mori ditën e mërkurë për të sanksionuar dy ministra turq.

“U thamë se s’mund të arrijnë kurrkund me gjuhë kërcënuese”, deklaroi shefi i diplomacisë turke duke iu referuar vendimit skandaloz për sanksione, në një prononcim të shkurtër pas takimit me homologun amerikan.

“Krizat nuk mund të kapërcehen me një takim të vetëm. Megjithatë mund të them se ishte një takim konstruktiv. Si Turqi, ne aspirojmë që t’i zgjidhim problemet me diplomaci. Ramë dakord për të bërë përpjekje që t’i zgjidhin problemet së bashku”, shtoi ministri turk i Punëve të Jashtme.

Arrestimi më 9 dhjetor 2016 i priftit amerikan, Andrew Brunson, me akuzën se ka kryer vepra penale në emër të organizatës terroriste gyleniste (FETO) dhe organizatës separatiste terroriste, PKK, si dhe konvertimi muajin e kaluar për arsye shëndetësore i masës së sigurisë ndaj tij nga “arrest me burg” në “arrest shtëpiak”, pati ngjallur reagime në palën amerikane.

Ndërsa pala turke nuk e pranon kërkesën e SHBA-së, e cila strehon në territoret e saj kreun terrorist të përpjekjes së dështuar për grusht shteti të FETO-s më 15 korrik 2016, për lirimin e priftit Brunson, që theksohet se “nën petkun e klerikut ka kryer vepra penale në emër të organizatave terroriste dhe me to ka bashkëvepruar e bashkëpunuar me dëshirën e tij duke qenë i vetëdijshëm për qëllimet e organizatave, në kuadër të strategjive të përgjithshme të tyre”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne