Çavuşoğlu: Të zbulohen të gjitha të vërtetat në rastin Khashoggi

 Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, është shprehur se duhet të zbulohen të gjitha të vërtetat e këtij rasti.

Ministri Çavuşoğlu në zyrën presidenciale Dolmabahçe në Stamboll i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas konferencës së përbashkët me ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, Elmar Memmedyarov dhe ministrin të Jashtëm gjeorgjian, David Zalkaliani.

Në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ministri Çavuşoğlu tha se “Përgjegjësit e rastit të vrasjes së Khashoggit janë arrestuar në Arabinë Saudite. Ka edhe një hetim që kryhet nga ata. Në këtë çështje vërejmë frytet e bashkëpunimit dhe ndarjes së informacionit nga kryeprokurorët. Sigurisht i nevojshëm është vazhdimi i këtij bashkëpunimi, por në të njëjtën kohë nuk duhet të ketë zgjatje dhe shpërqendrim. Ky është qëllimi ynë, që të arrihen rezultatet e hetimit sa më parë. E gjithë bota është në pritje të kësaj. Duhet të zbulohen të gjitha të vërtetat”.

Kryediplomati turk tha se “Po tregojmë përpjekje intensive që të zbulohet plotësisht se është një vrasje e paramenduar, të zbulohen emrat e atyre që kanë ardhur dhe kanë ikur, të atyre që ndodhen pas kësaj si dhe për zbardhjen e të gjitha këtyre”.

Ministri Çavuşoğlu theksoi se hetimi nga Turqia po vazhdon duke u thelluar dhe intensifikuar. “Në hetimin e kryer nga kryeprokuroria jonë po ofrojnë mbështetjen e nevojshme edhe institucionet tona të tjera, si policia dhe shërbimet inteligjente. Deri më tani nuk është gjetur trupi i gazetarit Khashoggi. Mbi Arabinë Saudite ka një përgjegjësi të madhe përderisa autorët e vrasjes ndodhen në këtë vend. Edhe ministri i jashtëm saudit e ka shprehur në mënyrë të hapur se edhe kryeprokuroria saudite e ka pranuar se kjo është një vrasje e paramenduar. Në fillim u mohuan shumë gjëra, por më pas kanë nisur t’i pranojnë dalëngadalë”, u shpreh ministri Çavuşoğlu.

Ministri i Jashtëm i Turqisë e konsideron të rëndësishme vizitën e kryeprokurorit saudit në Stamboll, për zbulimin e të vërtetës rreth rastit Khashoggi.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne