Çavusoglu: Turqia do të përgjigjet nëse SHBA-ja vendos sanksione

Pjesëmarrës në Forumin 19. të Dohës në kryeqytetin e Katarit, Çavusoglu iu përgjigj pyetjeve të moderatorit Ayman Mohyeldin në lidhje me çështjet kryesore në rend të ditës.

Duke folur për marrëdhëniet Turqi-SHBA, shefi i diplomacisë turke vuri në pah se Uashingtoni është aleat i Ankarasë dhe se raportet me Presidentin amerikan, Donald Trump, kanë një ecuri relativisht më të mirë; por në marrëdhëniet me Kongresin e SHBA-së ka ende një sërë problemesh.

Ai rikujtoi të pranishmit në Forumin 19. të Dohës se SHBA-ja kundërshton faktin që Turqia bleu sistemin e mbrojtjes ajrore “S-400” nga Rusia, ndërsa theksoi se Turqia e bleu nga ky vend sistemin e mbrojtjes, për të cilin kishte nevojë, pasi ishte Rusia ajo që bëri ofertën më të përshtatshme.

Çavusoglu paralajmëroi se Turqia do t’i përgjigjet çdo sanksioni të vendosur nga SHBA-ja për shkak të raketave “S-400”.

“Sanksionet dhe gjuha kërcënuese nuk funksionojnë kurrë. Këtë duhet ta kuptojë edhe SHBA-ja. Dhe unë mendoj se e kupton, pasi Trumpi është kundër sanksioneve. Por nëse zbatohen sanksione, Turqisë do t’i duhet të përgjigjet. Ne jemi duke u përpjekur ta kapërcejmë këtë çështje pa sanksione dhe përmes dialogut e mirëkuptimit të ndërsjellë”, u shpreh ai.

Kryediplomati turk bëri një vlerësim edhe për rezolutën e miratuar në Senatin amerikan lidhur me pretendimet e pabaza armene mbi ngjarjet e vitit 1915.

“Politikanët me njohuri historike të kufizuara nuk duhet ta gjykojnë historinë. Senati (i SHBA-së) e miratoi këtë rezolutë për shkak të zhgënjimit të tyre rreth Operacionit «Burimi i Paqes» që Turqia po ndërmerr në veri të Sirisë, si dhe për shkak të lobit armen në SHBA dhe lobeve të tjera që e mbështesin atë”, theksoi ministri turk i Punëve të Jashtme.

Duke u ndalur gjithashtu mbi memorandumet e mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Pajtimit Kombëtar në Libi (GNA) mbi bashkëpunimin ushtarak dhe mbi përcaktimin e zonave të juridiksionit detar të dy vendeve në Mesdheun Lindor, Çavusoglu se Turqia mund të shqyrtojë dhe vlerësojë dërgimin e ushtarëve të saj në Libi vetëm nëse GNA-ja do të bënte një kërkesë të tillë./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne