Çavusoglu: Turqia do të vazhdojë të ndihmojë palestinezët dhe UNRWA-në

Ministri i Punëve të Jashtmet të Turqisë, Mevlut Çavusoglu bëri të ditur se Turqia do të vazhdojë të ndihmojë palestinezët dhe Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët e Palestinës në Lindjen e Afërt (UNRWA), të cilët kalojnë ditë të vështira.

Ministri Çavusoglu, i ndodhur në Nju-JorkShBA-së për punimet e sesionit të 74-ët të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mori pjesë në mbledhjen e rregullt të ministrave të “Komitetit të Kontaktit për Ndihmë për Palestinezët” që u mbajt nën patronazhin e Norvegjisë.

Në prononcimin e bërë në lidhje me mbledhjen në llogarinë e tij në Twitter ministri Çavusoglu tha: “Në këtë mbledhje theksuam se bashkësia ndërkombëtare duhet të sigurojë ndihmë politike dhe financiare për UNRWA-në. Vendi ynë do të vazhdojë të ndihmojë vëllezërit dhe motrat tona palestineze që kalojnë periudha të vështira dhe të kontribuoj në UNRWA, e cila mbështet refugjatët palestinezë”.

Çavusoglu gjithashtu mori pjesë në takimin vjetor të Këshillit të Ministrave të Vendeve më Pak të Zhvilluara (LDC) ndërsa në llogarinë e tij në Twitter në lidhje me mbledhjen në fjalë tha: “Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Vendeve më Pak të Zhvilluara të organizuar në kuadër të OKB-së deklaruam që vendi ynë, i cili është një nga pionierët në ndihmë për zhvillim, e konsideron mbështetjen e Vendeve më Pak të Zhvilluara si përparësi. Ne mbështesim Bankën e Teknologjisë së OKB në Gebze për zhvillimin e aftësive shkencore dhe inovative të Vendeve më Pak të Zhvilluara”.

Ministri Çavusoglu më pas zhvilloi takime të ndara dypalëshe me ministrat e Jashtëm të Paraguait, Antonio Ricas Palacios, të Uruguait, Rodolfo Nin Novoa, të Republikës Dominikane, Miguel Vargas dhe të Bolivisë, Diego Pary Rodriguez.

Gjatë takimeve me Republikën Dominikane u nënshkruan 5 marrëveshje bashkëpunimi në fushat e kulturës, teknologjisë së informacionit dhe arkivave diplomatike, bashkëpunim në fushën e rinisë dhe sportit, bashkëpunim mes arkivave kombëtare dhe mes Radiotelevizionit Publik të Turqisë (TRT) me homologen CERTB.

Gjithashtu me Bolivinë u nënshkrua një, ndërsa me Malin e Zi u nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne