Çavusoglu: Turqia është e vendosur për sistemet S-400

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) theksoi vendosmërinë e Turqisë për blerjen e sistemeve S-400 nga Rusia, ndërsa tha se “Ne nuk do të hedhim hap prapa pa marrë parasysh pasojat”.

Ministri Çavushollu iu përgjigj pyetjeve në Panelin Editorial të Agjencisë së Lajmeve Anadolli (AA) në Ankara.

Shefi i diplomacisë turke bëri të ditur se është arritur në fund të procesit të blerjes së sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400 dhe tha se punimet e dorëzimit të sistemit po vazhdojnë dhe se këto sisteme do të vijnë në Turqi.

Çavushollu tha se botëkuptimi se “Çfarë thotë ShBA-ja ajo bëhet” më nuk është i vlefshëm, ndërsa shtoi se “Ne nuk pranojmë urdhrat e një shteti tjetër për të blerë apo të mos blerë. ShBA-ja duhet të heq dorë nga kjo qasje. Nëse ndaj nesh bëhet ndonjë sjellje apo ndonjë hap negativ, ne do kundërpërgjigjemi në masë të njëjtë”.

Ministri preku edhe në zhvillimet në Siri dhe tha se është e dobishme që procesi i Astanës të vazhdojë.

Duke vënë në dukje se garantuesit e regjimit janë Rusia dhe Irani, Mevlyt Çavushollu tha se “Justifikimet që regjimi nuk na dëgjon janë të papranueshme. Grupet radikale në Idlib dërgohen nga regjimi”.

Ndërkaq në lidhje me sulmin e të enjtes të ndërmarrë ndaj pikës turke të vëzhgimit në Idlib, ministri Çavushollu tha se “Jemi të mendimit se të shtënat ndaj kësaj zone janë bërë qëllimisht. Ne i përcollëm Rusisë mesazhet e nevojshme dhe në qoftë se përsëritet edhe njëherë atëherë do të bëjmë atë që është e nevojshme”./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne