Çavuşoglu: Turqit e Maqedonisë kontribuojnë në marrëdhëniet Maqedoni-Turqi

Me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoni, në Shkup u mbajt pritje solemne nën kujdesin e Qeverisë së Maqedonisë dhe në mbështetje të Qeverisë së Turqisë, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Lidhjes së Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATUSITEB), raporton Anadolu Agency (AA).

Zëvendëskryeministri i Republikës së Turqisë, Hakan Çavuşoğlu, në adresimin e tij të pranishmëve në pritjen solemne u uroi 21 Dhjetorin, Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoni, dhe shfaqi shpresë që shënimi i kësaj feste të ketë dobi. Me këtë rast, Çavuşoğlu përcolli edhe urimet e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, dhe kryeministrit Binali Yıldırım.

“Si një nga vëllezërit tuaj i lindur dhe i rritur në Ballkan, mund të them se trojet ballkanike janë të një rëndësie të madhe për tërë botën, veçanërisht për Turqinë. Maqedonia dhe vëllezërit tanë kanë një vend të veçantë në këtë kuptim”, tha Çavuşoğlu.

Zëvendëskryeministri turk theksoi se edhe sot në shekullin e 21-të, qytetarët e Maqedonisë ruajnë të njëjtin kuptim për Turqinë dhe qytetarët e saj. Ai shtoi se komuniteti turk në Maqedoni, me pjesëmarrjen e saj në jetën shoqërore kontribuon në forcimin e marrëdhënieve midis Maqedonisë dhe Turqisë.

“Ballkani për ne paraqet një civilizim ku nuk mund të imagjinohet një ndryshim midis shteteve dhe ku nuk mund të ndërtohen mure midis shoqërive”, u shpreh Çavuşoğlu.

Nga ana tjetër, ministri pa resor i Qeverisë së Maqedonisë i angazhuar për investimet e huaja, Adnan Qahil, në adresimin e tij tha se Maqedonia është një vend me karakter multietnik dhe si i tillë do të mbetet.

Qahil, duke theksuar se për qeverinë aktuale të Maqedonisë arsimi është elementi kyç, u shpreh se: “Pa arsimim të mirë në gjuhën amtare, por edhe në gjuhët tjera, nuk kemi të ardhme”.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes së Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATUSITEB), Hüsrev Emin, përcolli falënderime deri te Republika e Turqisë për përkushtimin e saj ndaj komunitetit turk në Maqedoni. Ai theksoi se ruajtja e identitetit turk dhe integrimi social i të rinjve është një rëndësi vitale për institucionin që drejton ai.

Në këtë ceremoni, ndër shumë të ftuar i pranishëm ishte edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ministra të Qeverisë së Maqedonisë, deputetë, ambasadorja turke në Shkup, Tülin Erkal Kara, kryetari i TIKA-s, Serdar Çam, përfaqësues të trupit diplomatik në vend, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe organizatave joqeveritare.

Zëvendëskryeministri turk, Hakan Çavuşoğlu, gjatë ditës qëndroi për vizitë në Maqedoni me rastin e Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoni. Ai gjatë ditës u prit në takim nga presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, si dhe nga kryeministri Zoran Zaev. Çavuşoğlu, poashtu në mëngjes mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të projektit për riparimin dhe pajisjen e Shkollës Fillore “Mustafa Kemal Ataturk” në Gostivar, të realizuar në kuadër të bashkëpunimit të TIKA-s me Unionin e Bashkive të Turqisë (TBB)./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne