Bota

Çelik: Terrorizmi nën patronazh, Gjermania lejoi një tubim në mbështetje të PKK-së

Ministri turk për Çështjet e Bashkimit Evropian, Omer Çelik, kritikoi të shtunën autoritetet gjermane për lejimin e një partie opozitare turke për të mbajtur një tubim, të cilin ai tha se ishte organizuar nga mbështetësit e organizatës separatiste terroriste, PKK.

Në një mesazh të postuar në rrjetin social “Twitter”, Omer Çelik tha se leja e Gjermanisë “nuk është në përputhje me një nocion të vërtetë të demokracisë dhe ligjit”.

“Një shfaqje terroriste është organizuar me lejen e autoriteteve gjermane”, shtoi ai.

Kritikat e tij erdhën disa orë pasi Partia Demokratike e Popujve (HDP), të cilën qeveria e akuzon se po bëhet një front politik për PKK-në, mbajti të shtunën një miting në qytetin gjerman të Këlnit.

Rreth 1.000 përkrahës të PKK-së u tubuan në Sheshin “Neumarkt” të Këlnit, bëri të ditur një zëdhënës i policisë gjermane.

Sipas tij, policia nuk lejoi simbole dhe parulla të PKK-së gjatë tubimit, megjithatë grupi hodhi slogane kundër Turqisë dhe Presidentit të saj, Recep Tayyip Erdogan.

“Leja e dhënë nga autoritetet zyrtare për aktivitete të tilla terroriste, të cilat në fakt duhet të luftohen në emër të demokracisë dhe ligjit, nënkuptojnë veçse që terrorizmi është nën patronazh. Kjo nuk mund të shpjegohet me asnjë lloj justifikimi”, tha shefi i negociatave të Ankarasë me Brukselin.

Omer Çelik tërhoqi vëmendjen se autoritetet gjermane po sulmonin vet demokracinë e tyre duke “marrë terrorizmin nën patronazh”.

“Demokracitë që i dallojnë organizatat terroriste si të mira apo të këqija, s’bëjnë gjë tjetër veçse dobësojnë legjitimitetin e tyre”, nënvizoi ai.

Çelik tha se PKK-ja ishte marrë nën patronazh me lejen e autoriteteve gjermane, që “lejojnë hapur një organizatë terroriste të bëjë një aktivitet në mes të Evropës”.

“Nocioni i demokracisë dhe ligjit i atyre që lejojnë këto aktivitete, është i barabartë me nocionin e demokracisë dhe ligjit të organizatave terroriste”, u shpreh ministri turk për Çështjet e BE-së.

“Terrorizmi është një krim kundër njerëzimit”, theksoni Çelik duke shtuar se ata që lejojnë një shfaqje terroriste, nuk mund të pretendojnë se luftojnë krimet kundër njerëzimit.

PKK-ja është ndaluar në Gjermani që prej vitit 1993, por ajo mbetet aktive me rreth 14.000 përkrahës e simpatizantë në këtë vend.

Ankaraja e ka kritikuar Berlinin se nuk po merr masa serioze kundër PKK-së, e cila e përdor Gjermaninë si një platformë për mbledhjen e fondeve, rekrutim dhe aktivitete propaganduese.

E klasifikuar si një organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, PKK-ja ka zhvilluar një fushatë të gjerë terroriste kundër shtetit turk që nga mesi i viteve 1980, me pasojë rreth 40.000 të vrarë./ trt

OPINIONE