Federata Shqiptare e Futbollit kundër çdo logjike të thjeshtë, del jashtë kornizave ligjore dhe në mënyrë të paprecedentë u mohon shqiptarëve të ndjekin falas në një televizion kombëtar, ndeshjen e kombëtares Shpresa. Pas ankesës publike të RTSH për përjashtim nga gara për transmetimin e sfidës kundër Turqisë, Federata del me një qëndrim publik ku pa asnjë bazë ligjore, justifikon vendimin për t’ia shitur ndeshjen vetëm një transmetuesi me pagesë. Si pjesë e kushteve të konkurrimit ka qenë edhe që transmetuesi të garantojë transmetimin në një televizion kombëtar.
Nga kontaktet me transmetuesin, rezulton se kjo ka qenë e pamundur pasi për shkak të zhvillimit të disa aktiviteteve njëkohësisht sinjali është prodhuar me vonesë, por pavarësisht këtij fakti asnjë Televizion Kombëtar nuk ka shfaqur interesim për këtë aktivitet dhe theksohet në qëndrimin e Federatës që në vijim të reagimit e kthen qëndrimin në një sulm personal ndaj televizionit publik, por nuk jep asnjë shpjegim ligjor se përse u mohoi shqiptarëve të drejtën për të ndjekur pa pagesë ndeshjen e kombëtares shpresa.
RTSH bën me dije se ndonëse FSHF e kishte kusht të detyruar transmetimin e kësaj ndeshjeje në një Televizion kombëtar, kjo nuk ka ndodhur, madje për eliminatoret FSHF jashtë çdo logjike tenderimi për të drejtat televizive ofronte vetëm një ndeshje, atë ndaj Turqisë dhe jo gjithë paketën e ndeshjeve të përfaqësueses U 21 të Shqipërisë që do të luhen në vendin tonë.
RTSH nuk i ka kërkuar na asnjë moment federatës që të qëndrojë në rresht të parë për të përfituar transmetim preferencial, por transparencë në garë ku të gjithë duhet të trajtohen si të barabartë.
Me censurimin e ndeshjes për shqiptarët në çdo cep të vendit, FSHF nuk bllokoi transmetimin për televizionin publik, por errësoi ekranin e shqiptarëve që kanë minimalisht të drejtën për të ndjekur falas ndeshjet e kombëtares. Në këtë logjikë, RTSH si transmetues publik, këtë radhë nuk do luajë vetëm rolin e informuesit të publikut, por do ta çoj këtë çështje në Prokurori, duke mbrojtur pikërisht interesin publik, duke dorëzuar një kallëzim penal.