Çështja e emrit të Maqedonisë – Athina reagon ndaj zv/ministrit gjerman: Mos jep leksione historie

Athina zyrtare ka reaguar ndaj një deklarate të zëvendësministrit të Jashtëm gjerman, Michael Roth, mbi çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë.

Ministria e jashtme greke, ka kërkuar që zëvendësministri Roth, “të jetë më i kujdesshëm kur viziton vendet e Ballkanit”. Roth, ka qenë të martën për vizitë në Shkup, ku pas takimit me ministrin e Jashtëm vendas, Nikola Dimitrov, ka deklaruar se kundërshtimi i Greqisë për emrin kushtetues të Maqedonisë, “është komplet absurd”. “Askush jashtë Maqedonisë dhe Greqisë nuk e kupton kontestin, që është komplet absurd. Nëse shtrihet dora për dialog, unë pres nga pala tjetër (Greqia) që ta pranojë dorën e shtrirë”, ka deklaruar zëvendësministri i jashtëm gjerman dhe ka shtuar: “Mendoj që duhet të lemë që historia të mbetet histori dhe të dy vendet të shkojnë ndaj një të ardhmeje të përbashkët”. Në një deklaratë të publikuar mbrëmjen e të martës, ministria e jashtme greke, e fton qeveritarin gjerman që “t’i shmanget përpjekjes për të dhënë leksione historie, si dhe të tregojë respektin e nevojshëm ndaj çështjeve të ndjeshme për partnerët e vet europianë”. Që nga viti 1991, kur Maqedonia shpalli pavarësinë, Athina nuk e pranon emrin kushtetues të fqinjes së vet veriore, me argumentin se mbart rivendikime territoriale në dëm të Greqisë. Qysh atëherë kjo çështje mbetet pika më e nxehtë e fërkimit ndërmjet të dy vendeve. Në vitin 2008 Greqia arriti që të kushtëzonte me zgjidhjen e çështjes së emrit anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, dhe të njëjtin kusht ka arritur të imponojë edhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne