Çështja Tahiri-Habilaj/ Prokuroria kërkon ndihmë nga autoritetet greke

Pas Italisë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon ndihmën edhe të një fqinji tjetër për dosjen Habilaj-Tahiri. Burime të sigurta pohuan se prokuroria i ka përcjellë një letërporosi autoriteteve greke për çështjen më të bujshme që pas tetorit 2017. Saimir Tahiri rezulton se ka udhëtuar disa herë në Greqi me makinën tip Audi me targa AA003GB që ia kishte shitur më parë Habilajve.

Por ndërkohë burime të Top Channel pohojnë se edhe ndaj tre ish-zyrtarëve të policisë të shpallur në kërkim, ish-drejtori i policisë Vlorë Jaeld Cela, ish-shefi kundër krimit të organizuar Gjergj Kohila dhe ish-shefit të kufirit Sokrat Bode ka nisur edhe hetimi pasuror sipas ligjit anti-mafia.

Këto veprime vijnë atëherë kur për secilin prej të dyshuarve përfshi edhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri është zgjatur afati hetimor edhe për tre muaj të tjerë deri sa dy shtete, Italia dhe Greqia, të kthejnë përgjigje.

Dyshimet janë se ish-drejtori i policisë Vlorë Jaeld Çela në bashkëpunim me punonjës të policisë Gjergj Kohila dhe efektive të tjerë që janë nën hetim kanë mbështetur dhe garantuar e bashkëpunuar me anëtarë të grupeve kriminale për kultivim droge dhe më pas trafikun e saj jashtë Shqipërisë.

Gjergj Kohila ish-shefi kundër krimit të organizuar ka ndihmuar për kultivimin e drogës në fshatrat e Vlorës, ndërsa Sokol Bode ka bashkëpunuar per trafikun e drogës jashtë kufirit shqiptar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne