Çfarë duhet të bëjë bota muslimane për të shpëtuar ujgurët dhe Islamin në Kinë?

Nga: Olsi Jazexhi

Më 16-25 gusht 2019 unë vizitova Rajonin Autonom Ujgur të Xinjiangut (XUAR) në Republiken Popullore të Kinës. I ftuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit Shtetëror të Kinës dhe Xinjiangut, unë isha pjesë e një grupi gazetarësh që u dërguan për të vizituar tre qytete të mëdha: Urumqin, Aksu-në dhe Kashgar-in. Vizita jonë e mbuluar nga autoritetet kineze u drejtua nga autoritetet e Xinjiangut të cilët donin të na bindnin se gjërat janë në rregull.

Në Urumqi mberrita më 16 gusht. Nga 17 deri në 19 gusht ne morëm pjesë në një numër leksionesh që zyrtarët e Partisë Komuniste na mbajtën në lidhje me historinë, fenë dhe praktikat e të drejtave të njeriut në Xinjiang. Në këto seanca zyrtarë kinezë si Xu Guixiang (徐贵 相) dhe Ma Pinyan (马 品 彦) na prezantuan me Letrat e Bardha që qeveria e Kinës ka botuar në lidhje me Xinjiang-in. Në këto ligjërata na u tha që ujgurët dhe muslimanët turq ishin migrantë në këtë rajon, se Islami u imponua me dhunë nga arabët dhe turqit dhe Xinjiang-u ka qenë gjithmonë pjesë e Kinës.

Gjatë qëndrimit ne vizituam muzeumin shtetëror të XUAR-it në Urumqi, në Aksu dhe Kashgar. Në këto muzeume, qeveria kineze transmetonte për publikun të njëjtin mesazh që morëm nga Letrat e Bardha: Xinjiang-u historikisht ka qenë kinez, ujgurët dhe muslimanët e tjerë turq janë emigrantë, dhe Islami është fe e huaj që u imponua me forcë te ujgurët. Për më tepër, kinezët u tregonin vizitorëve se Islami po shkaktonte shumë telashe në Xinjiang pasi ishte burim ekstremizmi dhe terrorizmi. Për ta luftuar atë, qeveria e Kinës kishte ndërtuar disa “Qendra të Edukimit dhe Formimit Profesional”, ku ‘ekstremistët’ do të de-radikalizoheshin.

Më 20 gusht, kinezët na dërguan në qytetin Aksu për të vizituar Qendrën e Trajnimit të Aftësive Profesionale të Qarkut (Vocational Training Center) në Onsu (温宿 / Wensu). Këtu kinezët na kishin thënë që do të takonim ekstremistët dhe terroristët të cilët Kina po i de-radikalizonte. Por për habinë tonë kur intervistuam studentët e këtyre Qendrave të Aftësimit Profesional, zbuluam se ata nuk ishin studentë por të burgosur fetare, dhe ata nuk ishin terroristë por besimtarë muslimanë që detyroheshin më pahir që të hiqnin dorë nga besimi i tyre Islam. Krimet e tyre ishin praktikimi i Islamit, lutja ndaj Allahut, shikimi i videove televizive myslimane në internet, leximi i Kuranit të Shenjtë ose artikuj rreth Islamit, shkrimi për Islamin, leximi i historisë së ujgurëve, mbajtja e hixhabit, konsumimi i ushqimit hallall, varrosja e të vdekurve ose martesa sipas Islamit dhe predikimi i Islamit ndaj të afërmve të tyre.

Intervistat të cilat unë i kam regjistruar dhe ngarkuar në kanalin tim në YouTube dëshmojnë se të ashtuquajturat “Qendrat e Aftësimit Profesional” nuk janë shkolla por qendra të paraburgimit masiv. Këto qendra janë përdorur për shpërlarje masive të trurit të myslimanëve turq të Kinës, qofshin ata ujgurë, kazakë, kirgizë, uzbekë, tatarë etj., ku besimtarët detyrohen me pahir të heqin dorë nga Islami dhe identiteti i tyre turk dhe të bëhen han kinezë.

Edhe pse Kina pretendon se në Xinjiang po lufton ‘tre të këqija’: separatizmin etnik, terrorizmin dhe ekstremizmin fetar, në të vërtetë ajo lufton identitetin Islam të ujgurëve, pasi Islami i bën ata një komb ndryshe nga kinezët. Kina po lufton kundër diversitetit që në Xinjiang përfaqësohet nga Islami. Ajo dëshiron të shkatërrojë çdo shenjë të Islamit dhe të kinezërizojë plotësisht provincën e cila është kthyer në një qendër kryesore për projektin Një Rrugë, Një Brez (One Road, One Belt) të Kinës. Myslimanët kinezë (të ashtuquajturit 回族 / Huizu) të Xinjiangut që nuk paraqesin kërcënim separatist vuajnë gjithashtu probleme të ngjashme si ujgurët. Nën justifikimin e luftimit të ekstremizmit, autoritetet kineze kanë shpallur Islamin fe ekstremiste dhe nuk duan që një prani muslimane të ekzistojë në qendër të projektit të tyre të Rrugës së Mëndafshit që shtrihet nga Pekini per në Azi, Afrikë dhe Evropë. Kinezët kanë ndaluar predikimin dhe praktikimin e Islamit në Xinjiang dhe të gjitha institucionet shtetërore janë urdhëruar të luftojnë çdo shenjë të praktikës fetare (“Rregullorja e Xinjiang për De-ekstremizimin”, Kapitulli IV, neni 18).

Kina e trajton Xinjiang-in si një territor të pushtuar dhe banorët e saj turqeli konsiderohen si armiq të cilët duhet të asimilohen ose shkatërrohen. Autoritetet e Xinjiang-it shkatërrojne xhami, varreza dhe ndërtesa historike islame dhe çdo shenjë të civilizimit islam që ekziston. Siç zoti Ma Pinyan (马 品 彦) na tregoi gjatë ligjëratave në Urumqi, qeveria kineze dëshiron të kinezërizojë Islamin. Ajo nuk dëshiron të shohë asnjë shenjë arabe ose turke në mesin e muslimanëve të saj. Kina nuk dëshiron që ata të falen përditë, të refuzojnë alkoolin ose gratë të veshin shami apo martohen sipas Kuranit. Kinezërizimi i Islamit urdhërohet me ligj në “Rregulloren e Xinjiang-ut mbi De-ekstremizimin”, (neni 4) ku praktikimi i Islamit konsiderohet i jashtëligjshëm (“Rregullorja për de-ekstremizimit” Kapitulli II, neni 9). Leximi në grup i Kuranit, mësimi i Islamit për fëmijët, të folurit për Islamin, të posedosh ose të lexosh letërsi Islame, të veshësh veshje fetare, të shikosh shfaqje fetare ose të mbrosh Islamin në çfarëdo kuptimi është krim që dënohet me burgim ose mbajtje të gjatë dhe të dhimbshme në ‘Qendrat e Arsimit dhe Formimit Profesional’.

Autoritetet kineze kanë ndaluar ekzistencën e minareve, azanet (thirrjet për lutje), xhamitë me kupola dhe kur ndërtohet ndonjëherë një xhami e re ajo duhet të formësohet sipas arkitekturës budiste kineze pasi narracioni teleologjik i qeverisë kineze pretendon se Islami duhet të kinezërizohet , dhe nuk duhet të ketë simbole arabe ose turke. Për të detyruar kinezërizimin e Islamit, autoritetet e Xinjiang-ut sponsorizojnë Institutin Islamik të Xinjiang-ut, ku imamëve të zgjedhur u mësohet një version i kufizuar kinez i Islamit. Fushata e terrorit kundër popullatës muslimane ka krijuar një klimë frike. Ne pamë frikë në sytë e të gjithë muslimanëve që arritëm të takonim.

Qeveria kineze ka kolonizuar masivisht Xinjiang-in me kolonë kinezë që nga vitet 1950. Kinezët që në vitet 1950 ishin rreth 5 – 9% të popullsisë në vitin 2010 numërojnë 40%. Kolonizimi po vazhdon me agresivitet të madh në ditët e sotme dhe synon t’i kthejë muslimanët në pakicë. Ujgurët që nuk arrestohen dhe dërgohen në kampe përqendrimi (‘Qendra të Aftësimit Profesional’) ose burgje, detyrohen të marrin në shtëpitë e tyre kolonistë kinezë që jetojnë dhe flenë në të njëjtën shtëpi me familjet myslimane. Shumë gra myslimane të ujgurëve janë të detyruara të martohen me burra kinezë. Shumë muslimanë nuk lejohen të agjërojnë gjatë Ramazanit. Në restorantet myslimane është e ndaluar të refuzohet shitja e alkolit. Ujgurët që praktikojnë Islamin janë ndarë nga familjet e tyre dhe çuar në kampet e përqëndrimit ndërsa shpesh fëmijët e tyre u janë dhënë qendrave kineze që ti rrisin. Mbretërimi i frikës, persekutimit fetar dhe asimilimit etnik që po bën Kina në Turkistanin Lindor përbën një gjenocid kulturor.

Në një kohë kur bota po dëshmon me tmerr përndjekjen masive të muslimanëve turkmenë të Kinës bota myslimane dëri më tani e ka injoruar. Për turpin e botës myslimane në 8 korrik 2019, 22 shtete jo-muslimane nënshkruan një letër drejtuar presidentit të Këshillit të OKB për të Drejtat e Njeriut dhe Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut duke i bërë thirrje Kinës që t’i japi fund programit të saj masiv të paraburgimit masiv në Xinjiang. Ndërsa shumë shtete me shumicë muslimane refuzuan t’i bashkoheshin kësaj letre rreth 20 shtete muslimane u bashkuan me një listë prej 37 vendeve në mbështetje të Kinës për atë që ajo po bën në Xinjiang. Në letrën e përgatitur nga kinezët, shkruhej:

“Ne e vlerësojmë angazhimin e Kinës dhe transparencën e saj. Kina ka ftuar një numër diplomatësh, zyrtarë të organizatave ndërkombëtare dhe gazetarë në Xinjiang për të dëshmuar përparimin e kauzës së të drejtave të njeriut dhe rezultatet e luftës kundër terrorizmit dhe radikalizimit. Ajo që gazetarët panë dhe dëgjuan në Xinjiang kundërshton plotësisht atë që raportohej në media. Ne i bëjmë thirrje vendeve përkatëse të përmbahen nga përdorimi i akuzave të pabazuara kundër Kinës bazuar në informacione të pakonfirmuara para se të vizitojnë Xinjiang-in …”

Pasi u ktheva nga Xinjiang-i, unë si studiues dhe gazetar musliman që jam, do të dëshiroja t’i tregoja botës muslimane se masat e “luftës kundër-terrorizmit dhe de-radikalizimit” që Kina po bën në Xinjiang kanë çuar në ndalimin total të Islamit dhe përndjekjen masive të muslimanëve. Kina më ftoi mua ashtu sikur ka ftuar edhe “një numër diplomatësh, zyrtarë të organizatave ndërkombëtare dhe gazetarë në Xinjiang për të dëshmuar përparimin e kauzës së të drejtave të njeriut dhe rezultatet e luftës kundër-terrorizmit dhe radikalizmit”. Por gjetjet e mia dëshmojnë se Kina po i përndjek ujgurët vetëm pse ata besojnë në Islam dhe janë muslimanë.

Përmes kësaj letre të hapur, unë do të dëshiroja t’u bëja thirrje të gjitha vendeve myslimane që nënshkruan letrën pro-Kinës që të rishqyrtojnë edhe njëherë pozicionin e tyre. Unë jam i gatshëm të dëshmoj kudo në botën muslimane për atë që Kina po bën me popullsinë e saj myslimane.

Vendet muslimane duhet të rishqyrtojnë pozicionin e tyre dhe të nxisin Kinën që menjëherë të ndalojë përndjekjen e muslimanëve dhe japi fund ndalimit të ushtrimit të Islamit në Xinjiang. Kina duhet të mbyllë “Qendrat e Trajnimit Profesional”, të lirojë të burgosurit fetarë dhe politikë nga burgjet dhe kampet e paraburgimit, të ndaloje ligjet islamofobike dhe kriminale të “Rregullores së Autoritetit të Xinjiang-ut për De-ekstremifikimin”. Kina duhet t’i japi fund programit të dërgimit të kolonistëve kinezë në shtëpitë e ujgurëve dhe duhet të urdhërojë të gjithë shtetin, aparatet dhe organe e saj që t’i japin fund persekutimit të muslimanëve. Kina duhet të ndalojë politikat e saj islamofobike që targetojnë myslimanët, fenë e tyre, historinë, kulturën dhe mënyrën e tyre të jetës. Kina duhet të ndalojë kinezërizimin e detyruar të turkmenëve (ujgurë, kazakë, kirgizë, uzbekë, tatarë etj.), dhe të ndalojë shkatërrimin e xhamive dhe ndërtesave historike. Ajo duhet të lejojë që muslimanët e Xinjiang-ut të pajisen me pasaporta, të lëvizin lirshëm brenda dhe jashtë Kinës, të thërrasin ezanin nga xhamitë e tyre, të hanë ushqim hallall, të kryejnë haxhin në Mekë dhe të jenë në gjendje që t’i mësojnë Islamin fëmijëve të tyre. Autoritetet e Xinjiang-ut duhet të adaptojnë multikulturalizmin dhe të pranojnë ujguret dhe muslimanët e tjerë turkmenë të Kinës si qytetarë të barabartë me kinezët vendas, dhe pranojë Islamin si një nga fetë e Kinës. Kina duhet të rishikojë mënyrën se si ajo e percepton historinë e saj dhe duhet ta pranojë Islamin si pjesë integrale të Kinës dhe jo si armik të saj.

Duke ngritur këto kërkesa dhe duke i kujtuar Kinës se bota muslimane është një klient shumë i rëndësishëm i saj, vendet muslimane duhet të kërkojnë mbrojtjen e vëllezërve të tyre muslimanë, të cilët aktualisht po vuajnë përndjekje masive në rajonin autonom Ujgur të Xinjiang-ut. / Gazetaimpakt /

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne