Çfarë e bën Iranin aq të fortë sa të qëndrojë përballë një superfuqie si SHBA?

nga Elijah J. Magnier.

Gjatë luftës Iran-Irak në vitet 1980, Republika Islamike e Iranit përdori sloganin “Qerbala, Qerbala ne po vimë” (كربلا كربلا ما دارييم مياييم) për të “mbrojtur vlerat e Islamit”. Në Siri, slogani i luftës “Zeinebja nuk do rrëmbehet dy herë” ndihmoi në mobilizimin e aleatëve shia dhe mbledhjen e mijëra burrave për të luftuar takfirët suni të al-Kaedës dhe “Shtetit Islamik” (ISIS). Sot, pavarësisht betejës ekzistenciale ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, “Republika Islamike” nuk po përdor më slogane fetare, por për kundrazi po e mbledh mbështetjen e saj në bazën kombëtare. Edhe iranianët që nuk pajtohen me regjimin aktual, po e mbështesin vendin e tyre përballë qëndrimit agresiv të SHBA-së. Pragmatistët iranianë u zhgënjyen nga anullimi i paligjshëm i marrëveshjes bërthamore JCPOA. Sanksione të ashpra po i imponohen popullit iranian sepse Trump hodhi poshtë marrëveshjen për të kënaqur Netanjahun dhe për të zemëruar paraardhësin i tij Obamën. Përballë këtyre sanksioneve, Republika Islamike refuzon që ti përkulet diktateve të SHBA-së. Ndryshe nga vendet e tjera të Lindjes së Mesme që vullnetarisht i nënshtrohen shantazhit dhe bullizmit të Trumpit, Irani i thotë “JO” superfuqisë. Pse? Si mund ta bëjë këtë Irani kur mund ta bënin Arabia Saudite dhe fuqi të tjera rajonale, por që nuk e bëjnë?

Irani prodhon tanke, raketa, nëndetëse dhe është anëtar i klubit botëror të vendeve të afta për shkencat bërthamore.

Irani ka aleatë të fortë në Liban, Siri, Irak, Palestinë, Afganistan dhe Jemen dhe mund të mbështetet tek ta për të marrë pjesë në çdo luftë të imponuar ndaj Teheranit, madje edhe ndaj njëje të imponuar nga SHBA.

Irani ka zgjedhur në mënyrë demokratike anëtarët e parlamentit dhe një President që i shërben një mandati katër vjeçar dhe ka të drejtën për një rinovim të mandatit nëse fiton nëpërmjet votimeve, ndryshe nga shtetet arabe që kanë presidentë për jetë ose monarki të trashëguara. Të krishterët dhe hebrenjtë janë minoritete që njihen në Iran; hebrenjtë kanë një anëtar në parlament, Siamak Moreh-in, dhe ndihen “të sigurt dhe të respektuar”. Ata numërojnë rreth 15,000 vetë nga 85 milionë iranianë dhe kanë më shumë se 25 sinagoga.

Irani është përballur me sanksione të Shteteve të Bashkuara për më shumë se 40 vjet pa u përulur ndaj kërkesave të SHBA-së. Ai është ballafaquar me SHBA-në në shumë drejtime në Lindjen e Mesme dhe kohët e fundit rrëzoi edhe një avion pa pilot për ti dërguar një mesazh të qartë se është gati të përballet me luftën dhe me pasojat e saj nëse i imponohet. Irani është gati të paguajë çmimin për mbrojtjen e hapësirës ajrore, ujrave dhe tokave te veta dhe nuk do të bëjë kompromise për asnjë shkelje të sovranitetit të vet edhe me një superfuqi sikurse SHBA-ja. Irani po i dërgon një mesazh SHBA-së, aleati kryesor të saj Izraelit dhe të gjitha vendeve të Lindjes së Mesme: ai do të hakmerret ashpër kundër çdo agresioni.

Irani nuk ka frikë nga përpjekjet për ndryshimin e regjimit, sepse sistemi i tij zgjedhor është në duart e popullit, madje edhe nëse goditet nga brenda vendit. Irani ka aftësinë për tju gjendur në krah cdo vendi aleat të tij dhe ka aftësinë që ti përgjigjet me forcë cdo armiku të tij rajonal.

Situata e Iranit nuk është dicka unike apo befasuese. Është e natyrshme që të kesh institucione demokratike. Është normale që një vend të ketë aleatë të gatshëm për ti qëndruar pranë dhe të japin mbështetje kur të jetë e nevojshme. Është dicka e zakonshme që çdo vend të përdorë forcën kur është nevoja për të mbrojtur sovranitetin e tij dhe për të mbrojtur kufijtë e tij. Qytetarët mbështesin qeverinë e tyre dhe forcat e armatosura kur këta të fundit mbrojnë vendin kundër agresionit dhe kur sundimtarët e tyre marrin vendime të ashpra dhe të guximshme.

Në Iran nuk ka zëra që bëjnë thirrje për rënien e regjimit aktual pavarësisht nga “presioni maksimal” i SHBA-së. Presidenti iranian u përgjigj me “durim maksimal” për 14 muaj përpara se të ndërmerrte hapin e parë ligjor për t’u tërhequr pjesërisht nga marrëveshja bërthamore. Rouhani pastaj u zhvendos drejt një “strategjie konfrontuese” dhe përfundoi duke miratuar një “strategji të përgjigjes së barabartë” kundër çdo sulmi. Korpusi i Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) nuk ka nevojë për slogane fetare këtë herë, sepse iranianët janë të bashkuar në krah të udhëheqësve të tyre kundër SHBA-së, pavarësisht nga përkatësitë etnike. Trump ka arritur të bashkojë pragmatistët dhe radikalët nën një flamur kundër tij.

Evropa nxitoi të luante një rol ndërmjetësimi në një përpjekje të dështuar për të lehtësuar tensionet mes SHBA-së dhe Iranit. Udhëheqësit evropianë kanë një ndikim të vogël përballë Presidentit Trump, sepse ata janë larg bashkimit, megjithëse janë nënshkrues të marrëveshjes bërthamore JCPOA dhe respektues të saj. Irani imponoi në Evropë krijimin e një sistemi të ri pagesash, INSTEX, pavarësisht mungesës së efektivitetit të tij. INSTEX tregon vullnetin e liderëve evropianë për të akomoduar Iranin në mënyrë që të ndalojë prodhimin e bombave bërthamore. Kjo është një përpjekje reale e evropianëve.

Irani nuk do të heqë dorë nga aleatët e tij dhe as ata nuk do ta bëjnë këtë sepse Irani është në ballë të sigurisë kombëtare, mbrojtjes së vlerave dhe ekzistencës së tij. Pa to nuk do të ishte e mundur një politikë konfrontuese ndaj hegjemonisë amerikane. Sanksionet e ashpra ndaj Iranit i kanë dëmtuar aleatët e tij, megjithatë nuk i kanë përkeqësuar apo madje të kanë ndikuar edhe në aftësitë e tyre ushtarake.

Irani nuk do të heqë dorë nga aftësitë e tij raketore, sepse ato janë mekanizmi i vetëm i mbrojtjes dhe i fuqisë së tij. Irani është gati të shkojë në luftë; ai nuk do ta braktisë prodhimin dhe zhvillimin e raketave. Ai i ka dorëzuar aleatëve të tij në Palestinë, Liban, Siri, Irak dhe Jemen shumë nga raketat dhe sistemet e tij raketore.

Irani nuk do t’i nënshtrohet shantazhit me të cilin Trump zhvat qindra miliarda dollarë nga vendet e Lindjes së Mesme duke i detyruar ata të blejnë armatime dhe pjesë këmbimi prej SHBA-së. Vendet e Lindjes së Mesme si Arabia Saudite, Emiratet dhe Katari, paguajnë shuma të konsiderueshme për të kufizuar dëmet e bullizmit të Trumpit.

Nëse të gjitha këto vende të Lindjes së Mesme do të ngriheshin dhe do ti bënin ballë “komshiut bullist” siç ka bërë Irani dhe do investonin një pjesë të asaj që i paguajnë Trumpit për zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit, SHBA do të ishte e paaftë për të shantazhuar Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet.

Dhe e fundit por që ka shumë rëndësi është se Irani e hedh poshtë planin që Trump po përpiqet ti imponojë palestinezëve: një kërkesë që ata të shesin territoret e tyre për një grusht dollarësh. Shumë vende të Lindjes së Mesme e kanë miratuar planin fëminor të një amatori si Jared Kushner, i cili gëzon pushtet vetëm për shkak se është dhëndër i Presidentit të SHBA-së, i cili beson se mund të arrijë atë që shumë presidentë dhe diplomatë me përvojë nuk arritën ta bënin gjatë dekadave të mëparshme. Irani së bashku me Irakun, Libanin dhe Kuvajtin, e ka hedhur poshtë “marrëveshjen e shekullit”.

Trump pranon se ai kupton vetëm “gjuhën e shifrave dhe parave”. Përgjigjja e Iranit ndaj strategjisë amerikane të shantazhit mishëron perceptimin se kjo botë respekton dhe kupton vetëm ata që manifestojnë forcë dhe që refuzojnë ti nënshtrohen forcës, ndërsa vetëdija lidhur me këto situata zgjohet vetëm nga ata që kanë vullnetin për t’i rezistuar./ejmagnier/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne