Çfarë fshihet pas luftërave tregtare turko-ruse?

Në takimin e tij më të fundit me Presidentin rus Vladimir Putin më 10 mars 2017 në Moskë, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan shprehu dëshirën e tij për të mos përdorur termin “normalizim” në lidhje me lidhjet turko-ruse, në një përpjekje për të theksuar se marrëdhëniet dypalëshe janë kthyer në gjendjen e tyre të para datës 24 nëntor 2015, kur Turqia hodhi poshtë një avion rus në kufirin sirian.

Përkundër faktit që të dy vendet i dhanë fund disa muajve të ftohtë sa i përket marrëdhënieve, pasi Turqia zyrtarisht dërgoi një letër për të shprehur keqardhjen për incidentin në fund të qershorit 2016, dhe përkundrejt faktit që midis dy kryeqytete pati një trafik intensiv diplomatik që atëherë, Moska ishte në mëdyshje për heqjen e sanksioneve të imponuara ndaj tregtisë turke dhe për lehtësimin e kufizimeve të vizave.

Shpresat ishin të larta për takimin Erdogan-Puting në mars, por ai nuk ka sjellë ndonjë rezultat konkret. Është njoftuar se të dy udhëheqësit do të takohen përsëri më 3 maj në Soçi për të diskutuar çështjet rajonale dhe problemet e vazhdueshme dypalëshe.

Edhe pse Putini premtoi në mars, Moska nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për të lehtësuar proçedurat e vizave për mbajtësit e pasaportave të shërbimit dhe biznesmenët turq, si dhe për heqjen e kufizimeve për kompanitë turke që të punësojnë shtetas turq në investimet e tyre në territoret ruse.

Që nga fillimi i proçesit të normalizimit, Rusia hoqi sanksionet mbi vetëm 9 nga 23 produkte bujqësore, ndërkohë që kufizimet strikte mbi eksportin e domateve, trangujve etj. janë ende në fuqi. Eksportuesit bujqësorë turq po vuajnë qindra milionë dollarë humbje për shkak të sanksioneve të vazhdueshme.

Në një hakmarrje të tërthortë, Turqia vendosi taksa mbi grurin e importuar nga Rusia, duke e bërë tregtinë thuajse të pamundur. Në vend të kësaj, ka bisedime me eksportuesit e Ukrainës për të kompensuar nevojat e grurit të Turqisë.

Një zyrtar i lartë rus i tha medias më 21 prill se sanksionet mbi mallrat turke nuk do të hiqen derisa të hiqen taksat e imponuara ndaj grurit rus, ndërsa ka raporte se Moska po planifikonte të vendoste kufizime të reja ndaj agrumeve turke.

Sidoqoftë, ka edhe më keq. Kompanitë ajrore ruse janë nxitur që të ndalin fluturimet charter në Turqi për shkak të probabilitetit të sigurisë dhe të paqëndrueshmërisë në vend, duke përbërë një shenjë të qartë dhe një paralajmërim për Ankaranë se fluksi turistik rus mund të ndalet gjatë ditëve të ardhshme.

Turqia nxitoi të vendoste një delegacion të nivelit të lartë në dispozicion të zv/kryeministrit Mehmet Shimshek në Moskë menjëherë pas referendumit në Turqi, por kjo nuk ndihmoi në zgjidhjen e problemeve ekonomike dypalëshe.

Sa i përket Turqisë, qeveria aktualisht duket të jetë në rregull me avancimin e bisedimeve për blerjen e sistemit të raketave balistike S-400 nga Rusia, pavarësisht faktit se kurrë nuk mund të integrohet në sistemin e NATO-s.

Edhe nëse ky projekt do të vazhdojë, vetëm ai nuk do të jetë i mjaftueshëm për të mbështetur një mjedis të shëndetshëm tregtar mes dy vendeve.

Kjo është arsyeja pse të gjithë sytë janë kthyer tani në Soçi, ku Putini dhe Erdogani do të takohen edhe një herë mes pritjeve që tani do të dalin me një zbulim konkret. Por ky nuk do të jetë një proçes i lehtë, sepse – përveç arsyeve ekonomike – tensionet midis dy vendeve rrjedhin nga gjendja në Siri, ku pozicionet përkatëse të të dy vendeve po rriten përsëri.

Ka shenja se Turqia e ka përfunduar “afrimin taktik” me Rusinë në Siri, pasi ka bërë të qartë se do të bëjë përpjekje për të punuar me administratën Tramp në teatrin sirian, pavarësisht mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mbi rolin e grupeve kurde siriane. Sulmi kimik i ushtrisë siriane ndaj civilëve në Idlib përshpejtoi këtë linjë mes Ankarasë dhe Uashingtonit, e cila gjithashtu nxiti një veprim ushtarak amerikan kundër regjimit të Bashar al-Asadit.

Për më tepër, Ankaraja ka ringjallur fuqishëm ambicien e saj të vazhdueshme për të rrëzuar Asadin nga pushteti me SHBA-në, Francën dhe fuqitë e tjera perëndimore, në kundërshtim me Deklaratën e Moskës të nënshkruar nga Turqia, Rusia dhe Irani në fund të dhjetorit.

Të gjitha këto zhvillime janë mjaft serioze për të shqetësuar Moskën, e cila tashmë ka përveshur mëngët e saj kundër administratës Tramp gjatë krizës siriane.

Strategjia e vazhdueshme e Rusisë për bllokimin e proçesit të plotë të normalizimit me Turqinë është një mesazh i hapur ndaj Ankarasë që Rusia mund të shënjestrojë më tej pikat e saj më të dobëta, veçanërisht turizmin dhe tregtinë. Tani është e qartë se marrëdhënia midis Turqisë dhe Rusisë nuk do të kthehet në nivelin që ishte para datës 24 nëntor 2015, pasi kushtet nuk do të lejojnë asnjë palë të ndjekë një opsion më pragmatik kur bëhet fjalë për biznesin dhe tregtinë.

SERKAN DEMİRTAŞ

/ © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne