Çfarë ndodhi në mitingun e PD me “pluhurin misterioz” që lëndoi 76 persona

Një grup ekspertësh i prokurorisë, policisë, Gardës së Republikës dhe Forcave të Armatosura po hetojnë për të kuptuar se ç’solucion u hodh në mitingun hapës të fushatës elektorale të PD-së në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Pak pasi mitingu u mbyll, disa nga pjesëmarrësit iu drejtuan QSUT -së. Ata u paraqitën me djegie të forta syve dhe irritim të lëkurës së fytyrës. QSUT flet për 76 persona të trajtuar në urgjencën e saj dhe në repartin e Okulistikës.

Edhe Lulzim Basha pati të njëjtat simptoma. Ai qëndroi pak minuta në spital dhe vazhdoi mjekimin në shtëpi. Tentoi të vijonte fushatën elektorale, por e pati të pamundur dhe anulloi 3 takime të parashikuara për në Lushnje.

Ekspertët e grupit të ngritur për të zbardhur shkaqet ishin paradite në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Morën disa prova për të kryer analiza. Dyshimet e para janë për një pluhur të hedhur në miting.

U mendua fillimisht se shkak ishte një solucion i përdorur për të fryrë tullumbacet e mitingut. PD sqaroi se ato nuk plasën dhe se nuk pati asnjë lëndë tjetër shpërthyese në miting.

Për të zbardhur ngjarjen po hetojnë edhe ekspertët e Mjekësisë Ligjore. Ata po analizojnë të gjithë kampionët e marrë nga të lënduarit që u paraqitën në urgjencën e QSUT. /Lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne