Çfarë përfshihet në “marrëveshjen e shekullit”?

“Po qe se do të duhej parashtruar me një formulë të drejtpërdrejtë, çështja e Lindjes së Mesme mund të reduktohet në çështje të Palestinës, çështja e Palestinës mund të reduktohet në çështje të Jerusalemit dhe çështja e Jerusalemit mund të reduktohet në çështje të Faltores Aksa-Ahmed Davutogllu,Thellësia Strategjike 

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Të shumta kanë qenë përpjekjet për të vendosur paqen në Lindjen e Mesme, sidomos në pikën më neurologjike të kësaj hapësire, pikërisht atë ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Në dekadat e fundit kjo çështje thuajse është gjetur në agjendat e të gjithë administratave të presidentëve të SHBA-së. Tanimë ka kohë që në opinionin ndërkombëtar qarkullon propozim-ideja e administratës Trump për gjetjen e zgjidhjes së konfliktit në fjalë, propozim ky i cili quhet “Deal of the century” (Marrëveshja e Shekullit).

Përdorimi zyrtar i termit “Marrëveshja e shekullit” daton që nga prilli i vitit 2017, atëherë kur presidenti i Egjiptit, Abdulfetah es-Sisi, gjatë një konference për shtyp me presidentin Trump në Uashington deklaroi se: “Ne jemi të gatshëm për t’i dhënë dorë ndihme Presidentit Trump për ta përmbushur marrëveshjen e shekullit “.

Emrat të cilët janë të ngarkuar nga Shtëpia e Bardhë për të shtyrë përpara këtë proces janë Jared Kushner – dhëndri i presidentit Trump, Jason Greenblatt – i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Lindjen e Mesme, David Freedman – ambasador i SHBA-së në Izreal, si dhe Avi Berkowitz – ndihmës i Jared Kushner-it.

Në realitet, kjo marrëveshja nuk synon që të ofrojë zgjidhje vetëm ndërmjet palëve konfliktuoze, porse në të synohet që të arrihet një paqe regjionale arabe-izraelite, kjo ngase në tryezën e negociatave, përveç Izraelit dhe Palestinës, do të duhet të jenë të pranishëm edhe Egjipti dhe disa vende të tjera arabe.

Jason Greenblatt-i pohoi se plani i tillë i SHBA-së është i dizajnuar që të përfitojë i tërë rajoni, i cili do t’i jepte fund konfliktit ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, por në të njëjtën kohë të krijojë një aleancë arabo-izraelite për ta luftuar Iranin dhe terrorizmin! (Aljazeera Centre for Studies).

Megjithëse propozim plani për këtë marrëveshje ende nuk është zyrtar dhe se publikimi final i tij pritet të bëhet pas muajit të Ramazanit, ashtu siç përmendi edhe Kushneri në një artikull të New York Times, thuhet se “Palestinezët do të merrnin një shtet të vetin, por me sovranitet të kufizuar, ndërsa pjesa më e madhe e vendbanimeve izraelite në Bregun perëndimor, që për komunitetin ndërkombëtar konsiderohen të paligjshme, do të mbeteshin”.

Sipas gazetës izraelite Yisrael Hayom, disa nga çështjet e mundshme të cilat përfshihen në këtë  marrëveshje janë:

  • Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet shtetit të Izraelit, Hamasit dhe autoriteteve PLO – Organizatës për Çlirimin e Palestinës. Me ketë rast shteti i ri palestinez – New Palestine/Palestina e re do të ngrihej në territoret e Judesë Samarias (Bregu Perëndimor) dhe në Gaza, me përjashtim të vendbanimeve izraelite;
  • Vendbanimet izraelite të cilët gjenden në Bregun Perëndimor do të ngelin nën juridiksionin e Izraelit dhe në të njëjtën kohë do të sigurohet lidhje tokësore me vendbanimet të cilat janë të izoluara;
  • Jerusalemi nuk do të ndahet ndërmjet Izraelit dhe Palestinës së Re, porse do të jetë kryeqytet i të dyja shteteve. Popullsia arabe e Jerusalemit do të jenë shtetas e Palestinës së Re, ndërsa hebrenjtë nuk do të kenë të drejtë të blejnë toka nga arabët, por as arabët nuk do të kenë të drejtë t’i blejnë shtëpitë dhe pronat e hebrenjve. Po ashtu asnjë hapësirë shtesë nuk do t’i aneksohet Jerusalemit!;
  • Egjipti do t’i lejojë shtetit të ri palestinez një pjesë të tokës në të cilën do të hapet një aeroport dhe një zonë industriale;
  • Palët të cilat financiarisht duhet ta mbështesin implementimin e kësaj marrëveshje janë: SHBA-ja, Bashkimi Evropian, si dhe vendet e Gjirit Persik. Ato detyrohen që shtetit të ri palestinez në 5 vitet e ardhshme t’i ofrojnë 30 miliardë dollarë ndihmë për projektet kombëtare!
  • Shteti i ri palestinez nuk do të lejohet të ketë ushtri. (Jerusalem post). Në fakt, të vetmet armë të cilat do të mund të përdoren do të jenë armët e lehta dhe ato për forcat policore, ndërsa ndërmjet Izraelit dhe Palestinës së Re do të duhet të nënshkruhet edhe një traktat mbrojtës;
  • Hamasi, në bazë të marrëveshjes, do të duhet t’i depozitojë para autoriteteve egjiptiane të gjitha armët, përfshirë edhe armët personale;
  • Kufiri i rripit të Gazës me Egjiptin dhe Izraelin do të jetë i hapur për qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve, ngjashëm si në Bregun Perëndimor;
  • Rripi i Gazës dhe Bregu perëndimor do të lidhen përmes ndërtimit të një autostrade;
  • Në 5 vitet e ardhshme në shtetin e ri palestinez do të krijohen port detar, si dhe aeroport, por deri atëherë palestinezët do të mund t’i përdorin aeroportet izraelite;
  • Brenda një viti do të duhet të mbahen zgjedhjet të lira dhe demokratike për qeverinë e Palestinës së Re;
  • Në rast se Hamasi dhe PLO refuzojnë ta nënshkruajnë “Marrëveshjen e shekullit”, SHBA-të do të ndërprenë çfarëdo lloj ndihme për palestinezët. Nëse PLO e nënshkruan, ndërsa Hamasi ose Xhihadi Islamik refuzojnë, atëherë përgjegjësia bie mbi ta. Ndërkaq në rast se Izraeli refuzon ta nënshkruajë marrëveshjen, SHBA-të po ashtu do ta ndërprejnë ndihmën financiare për shtetin e Izraelit.

Marrë në përgjithësi, propozim marrëveshja mund të konsiderohet një projekt i atillë i cili  palestinezëve u ofron prosperitet ekonomik, ndërsa izraelitëve siguri nacionale! Për palën izraelite dhe për disa shtete arabe, marrëveshja në fjalë, ndoshta edhe do të ishte e pranueshme, mirëpo për palën palestineze, sidomos tani kur SHBA-të e njohën Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, çdo propozim marrëveshje që përjashton formulën two-state solution-zgjidhje e dy shteteve dhe me kufijtë e 67-ës do të ishte e papranueshme!

Për fund mund të them se tashmë kur bota arabe është fragmentuar politikisht dhe e mbërthyer në luftëra civile, ndërsa faktori palestinez i ndarë në dysh, dhe kur prioritet i vendeve të pasura ekonomike arabe është konfrontimi me Iranin, në tryezën e negociatave Izraeli është në pozicionin e më të fuqishmit me cilindo delegacion arab!/ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne