Rajoni

Çfarë po fshihet? Maqedonia e Veriut i vetmi vend në Evropë pa regjistrim të popullsisë

“Për shkak të zgjedhjeve të reja parlamentare që do të mbahen më 12 prill regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut mund të shtyhen për vitin 2021”. Kështu u shpreh sot kryeministri i vendit, Zoran Zaev, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Siç shkruajnë mediat fqinje, Zaev paralajmëroi takim me drejtorin e Entit Shtetëror për Statistikë, në të cilin, siç tha ai, do të konfirmohen rregullat dhe do të sillet vendim për nënshkrimin.

Maqedonia e Veriut ka shënuar një rekord të pa parë. Ajo është vendi i vetëm në Evropë në të cilin nuk është realizuar regjistrimi i popullsisë për më shumë se një dekadë.

Por sa banorë ka Maqedonia? Këtë askush nuk e di me  saktësi. Sipas një vlerësimi të Entit Shtetëror të Statistika në Maqedoninë e Veriut tregohet se në këtë shtet  jetojnë 2.072.490 banorë të regjistruar, ndërsa dendësia e popullsisë është 80.6 banorë për kilometër katror.

Por, këto nuk janë statistika të sakta dhe zyrtare për faktin se tashmë 15 vite nuk është bërë regjistrimi i popullsisë, edhe pse një gjë e tillë është kërkuar nga Bashkimi Evropianë. Sipas regjistrimit të vitit 2002 në Maqedoni jetojnë 2.022.547 banorë, prej të cilëve 65 % maqedonas, 25,17 % shqiptarë, 3,85 % turq, 2,66 % romë, 1,78 serbë % dhe komunitete tjera pakicë.

Organizatat ndërkombëtare, por edhe ato vendore kërkojnë që të realizohet regjistrimi për të pasur një pasqyrë të saktë për popullsinë si dhe aspektet se sa komunitete jetojnë, si janë trendet ekonomike dhe sociale si dhe shumë çështje tjera. Por problem në vend është edhe fakti se sa është numri i votuesve në Maqedoni, pasi që nga 2,1 milionë banorë, rreth 1, 8 milionë janë votues./balkanweb

OPINIONE