Çlirimi i Mekës!

Ishte data 20 ramazan i vitit 8 hixhrij apo viti 630 miladij, kur shkëlqeu një dritë, shpërtheu një lule që pushtoi me aromë tërë Meken dhe Gadishullin Arabik, por dhe tërë botën. Pas shumë vuajtjesh Muhamedi a.s. me shokë të tij, familje dhe fise të tëra, pas kalimit të shumë sprovave dhe largimit nga toka e tyre, atdheu i tyre, ata u rikthyen si fitues dhe triumfues ndaj të pavërtetës, sfiduan dhe larguan pabesimin dhe paganizmin nga Meka, tokë në të cilën Allahu xh.sh. e ngriti Qaben, tokë ku pejgamberi Ibrahim a.s. me birin e tij Ismailin a.s. bënin ibadet dhe u mësonin njerëzve njëshmërinë dhe besimin e pastër në një Zot.

Pejgamberi a.s. shfaqi shumë kujdes që hyrja në Meke të bëhej paqësore e të mos ndodhnin gjakderdhje e probleme. Para se të hynte në Meke ai e ndau ushtrinë në katër pjesë me qëllim që të hynin në katër anët e Mekes dhe të demonstronin forcën, t`i pengonin njerëzit dhe t`i dorëzoheshin këtij realiteti me paqe. Me të hyrë në Meke i Dërguari a.s. ua bëri me dije se kush hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit është i sigurtë, kush e mbyllë derën e shtëpisë së tij është i sigurtë dhe ai që hyn në Qabe është i sigurtë. Me këtë ai dha të gjitha mundësitë e sigurisë për njerëzit që e duan atë, pra muslimani nuk dëmton dhe nuk abuzon, siguria është nga muslimani dhe nga ai nuk pritet pasiguri dhe tradhti.

I Dërguari a.s. me paqe e dashuri hyri në Meke dhe flamuri i tij u vendos në vendin Huxhun. Hyrja e të Dërguarit a.s. në Meke ishte modeste. Ai kishte ulur kokën me përulje nga respekti ndaj Allahut xh.sh. dhe lexonte suren Fet`h, duke filluar nga ajeti i parë:
إِنَّا فَتَحْنَا لَكَ فَتْحًا مُبِينًا
”Ne ty të dhamë një fitore të sigurt.”[ Kur’ani, Surja: El-Fet’h, ajeti: 1.] Më pas u drejtua kah Qabja, bëri tavaf shtatë herë dhe më pas tha: “Nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut, Një i Vetëm dhe i Pashok. Ai e përmbushi premtimin, e ndihmoi robin e Vet dhe shpartalloi i vetëm të gjitha aleancat intrigante. Vini re: çdo gjak dhe hakmarrje qëndron poshtë këmbëve të mia, përveç mbulimit të Qabes dhe dhënies ujë haxhinjve.”
Më pas tha: “O kurejshit! Çfarë mendoni se do të bëj me ju.” Ata i thanë: “Të mira, o vëlla fisnik, i biri vëllait fisnik.” Ai iu tha fjalët: “Shkoni jeni të lirë.” Liria u pa kudo, edhe pse ata u keqtrajtuan dhe u përzunë nga shtëpitë e tyre, të keqen e kthyen me të mirë:
وَلَا تَسْتَوِي الْحَسَنَةُ وَلَا السَّيِّئَةُ ادْفَعْ بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ

”Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.”[ Kur’ani, Surja: Fussilet, ajeti: 34.] Pra në fenë islame nuk lejohet dhuna, ata hynë në mënyrë paqësore dhe me dashuri në Meke duke mos shkelur, mos shkatërruar, dhe as dhunuar, Pejgamberi a.s. u tha: jeni të falur, edhe pse të ligat e tyre ndaj muslimanëve kishin mbushur kupën.

Pas kësaj thirri atë që posedonte çelësat e Qabes, i mori çelësat dhe hapi derën e saj. Aty gjeti disa statuja dhe piktura të cilat urdhëroi që t`i prishnin. Më pas filloi të ecte drejt idhujve, numri i të cilëve ishte rreth 360 që adhuroheshin në kohën e injorancës arabe. Ua bënte me shenjë dhe lexonte fjalën e Allahut xh.sh.:
وَقُلْ جَاءَ الْحَقُّ وَزَهَقَ الْبَاطِلُ إِنَّ الْبَاطِلَ كَانَ زَهُوقًا
“Thuaj: E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht e pavërteta është e paracaktuar të zhduket.”[ Kur’ani, Surja: El-Isra, ajeti: 81.] Ai e rrëzoi perandorinë e pabesimit duke hedhur të gjithë idhujt poshtë dhe urdhëroi që të shkatërroheshin. Pas kësaj tek Pejgamberi a.s. erdhën burra që kishin pranuar Islamin, për t`i dhënë besën dhe pas tyre erdhën gratë, për të cilat kishte kushte të veçanta se si ta pranonin Islamin.

Kur hyri koha e namazit të drekës, Bilali r.a. thirri zërin e së vërtetës mbi taracën e Qabes, hypi sipër, u ndal, shikoi turmën dhe filloi të thërrasë ezanin duke thënë: “Allahu Ekber – Allahu është më i Madhi (4 herë). Eshhedu en la ilahe ila Allah – Dëshmoj se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut (2 herë). Eshhedu ene Muhameden Resulullah (dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut (2 herë).” Disa që sapo kishin hyrë në fe nuk u pëlqeu të dëgjonin këtë por pasi u ishin forcuar zemrat e tyre me Islam u penduan për çfarë kishin thënë.
Në këtë mënyrë Qabja u pastrua nga idhujtaria e paganizmi, nga adhurimi që u bëhej zotave të tjerë në vend të Allahut xh.sh.. Aty mbaroi fuqia armiqësore ndaj Islamit dhe muslimanëve, duke e kthyer Meken në qytetin më të rëndësishëm të fesë islame, sepse aty Muhamedi a.s. vendosi rregull dhe la udhëheqës Uitab b. Usejdin. I Dërguari a.s. u mundua që t’u mësonte banorëve të Mekes fenë islame, prandaj qëndroi me ta nëntëmbëdhjetë ditë. Ai u largua për t’u ballafaquar me fiset Thekif dhe Havazin, të cilët ishin gati të sulmonin Muhamedin a.s., pasi kishte çliruar Meken.

Çlirimi i Mekes ishte një arsye e fortë, që zbuti armiqësinë e arabëve ndaj Islamit. Pas këtij çlirimi njerëzit filluan të hyjnë në fenë e Allahut xh.sh. grupe-grupe, turma-turma. Kjo ndodhi me hyrjen e kurejshëve në Islam dhe me rënien e forcës më të madhe armiqësore ndaj Islamit. Kjo përshkruhet bukur në Kur’an:
إِذَا جَاءَ نَصْرُ اللَّهِ وَالْفَتْحُ . وَرَأَيْتَ النَّاسَ يَدْخُلُونَ فِي دِينِ اللَّهِ أَفْوَاجًا . فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَاسْتَغْفِرْهُ إِنَّهُ كَانَ تَوَّابًا
“Kur erdhi ndihma e Allahut dhe çlirimi, Dhe i shikoje njerëzit që po hyjnë turma-turma në fenë e Allahut. Pra, lartësoje Zotin tënd duke falënderuar dhe kërko nga Ai falje. Ai vërtet pranon shumë pendimin, është Mëshirues i madh.[ Kur’ani, Surja: En-Nasr, ajetet: 1-3.] Vërtet Allahu xh.sh. është me besimtarët, e pavërteta u thye dhe humbi në humnerë, doli në shesh e vërteta, andaj kjo ngjarje ngritë imanin e besimtarit, agjëruesit dhe atij që e ka lidhjen e tij të sigurtë me Kur’an dhe Sunet.

Disa nga mësimet që marrim nga çlirimi i Mekes janë:
1. Çlirimi i Mekes është çlirim nga errësira.
2. Idhujt që u shembën, duhet edhe sot t’i shembim.
3. Historia e çlirimit të Mekes të reflektohet që dhe sot ta çlirojmë vendin tonë nga idhujtaria dhe paganizmi modern i shekullit XXI.
4. Ezani u thirr por edhe sot duhet thirrur në çdo anë të planetit dhe të themelojmë qendra të thirrjes në Islam.
5. Ata ishin të pamposhtur, shoqëri e artë, duhet ta kthejmë imazhin e tyre, të mos turpërohemi por të krenohemi që jemi muslimanë.
6. Sa herë të kujtohet kjo ndodhi mendo që këtë ta bësh edhe ti në qytetin tënd ose fshatin tënd, pra çliroje edhe ti vendin tënd nga idhujtaria.
7. Mos i paragjyko njerëzit, thirri të gjithë me urtësi dhe butësi në Islam.
8. Mbështetju Allahut xh.sh., suksesi është në dorën e Tij e jo në dorën e njerëzve.
9. Ec me idenë e fituesit dhe jo të humbësit.
10. Bëj durim dhe shtoje vullnetin, bëhu ndryshues i gjendjes tënde dhe shoqërisë që të rrethon, mos ke frikë, bëhu guximtar, duhet të guxosh në Islam që me butësi të tjerët t’i ftosh.

Shkroi: Imam Arber Berisha

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne