Çmimet stratosferike/ Rinasi “vjedh” shqiptarët me bekimin e qeverisë

Aeroporti i Rinasit mbetet një ndër Aeroportet më të shtrenjta jo vetëm në rajon dhe në Europë, por ndoshta edhe në botë, krahasuar me nivelin ekonomik të Shqipërisë.

Çmimet e biletave janë shtrenjtuar ndjeshëm nga të gjitha destinacionet kryesore të shqiptarëve, si nga Italia, Londra, Gjermania etj, duke rritur kostot sidomos për emigrantët që duan të vijnë në Shqipëri.

Të udhëtosh nga Aeroporti i Rinasit në drejtim të një prej kryeqyteteve europiane gjatë sezonit veror, çmimi i biletës vetëm me një drejtim shkon në mbi 200 euro për person, apo rreth 400 euro për një biletë vajtje-ardhje. Dhe këtu theksojmë se bëhet fjalë për fluturimet “Economy Class”.

Nisur nga këto çmime stratosferike, të cilat janë denoncuar në media ditë pas dite, CNA.al u interesua pranë Autoritetit të Konkurencës.

Burime zyrtare nga ky institucion, bëjnë të ditur për CNA.al se Autoriteti i Konkurencës është shprehur me një vendim për rivlerësimin e kontratës koncesionare për Aeroportin Nënë Tereza dhe në përfundim të vlerësimit, komisioni i konkurencës ka dhënë rekomandimet përkatëse.

Po të njëjtat burime theksojnë se “Nga rivlerësimi rezulton se tarifat e Aeroportit Nënë Tereza nuk janë të rishikuara nga Operatori Shtetëror i Autorizimit që nga viti 2005”.

Nisur nga kjo,  Autoriteti i Konkurencës i ka rekomanduar Këshillit të Ministrave që t’i kërkojë Operatori Shtetëror i Autorizimit, i cili përfaqësohet nga dy ministra, ai i Energjitikës dhe ai i Ekonomisë dhe Financës, të cilët të realizojnë rishikimin e tarifave siç parashikon kontrata koncesionare.

Po ashtu mësohet se burimi thekson se “është dërguar edhe edhe në Kuvendin e Shqipërisë për t’u mbështetur nga Komisioni i Ekonomisë dhe  Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese për të detyruar Operatorin Shtetëror të Autorizimit që të realizojë këtë rishikim tarifash për Aeroportin Nënë Tereza.”.

Gjithashtu në prononcimin për CNA.al, Autoriteti i Konkurencës pranon faktin që kompania koncesionare e Rinasit është monopol në këtë treg, por thekson se  “në momentin që ka dhënë lejen për të hyrë një aeroport tjetër, që është ai i Kukësit apo i Vlorës, ekskluziviteti i tij që nga momenti që bëhet fluturimi i parë, i bie, pra bie monopoli.”

Kjo do të thotë që derisa Aeroporti i Vlorës ose ai Kukësit do të jenë funksional, kompania konçesionare e Rinasit, do të vijojë të “rrjepë” xhepat e shqiptarëve, dhe madje me bekimin e qeverisë shqiptare./ CNA.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne