Çnjerëzore / Amnesty International kundër ndëshkimit të 6 vjeçarit shqiptar

Me fytyrë nga muri, dera e mbyllur me çelës dhe i detyruar të përsërisë dhjetë herë me zë, “më falni, nuk e bëj më!”

Nëse nuk do të ishte për Amnesty International, kushtet çnjerëzore të cilave iu nënshtrua të mërkurën pasdite 6 vjeçari Muço Gusto nga kryeqyteti do të mbeteshin të panjohura për organizmat ndërkombëtare dhe opinionin publik përparimtar.

Ishte një çerek orësh i tmerrshëm për një fëmijë në mes të Europës, që të kujton bashkëmoshatarët e tij në Bangladesh.

 “Dënojmë me forcë prindërit Gaz dhe Shkrepëse Gusto, që së pari i vunë atë emër të tmerrshëm fëmijës së tyre (Muço? Wtf?), e që së dyti e dënuan aq ashpër për një gotë të thyer”, deklaroi për mediat bashkë me kllapat zëdhënësja e AI për Shqipërinë, Kuadratina Cepi.

“A mund të mbyllet një ëngjëll 6 vjeçar në një banjo me sapun të filluar, me shishen e shampos përgjysmë, me topin e letrës higjienike në përfundim dhe peshqir gjysmë të lagur? Po, ndoshta në Pakistan! Çfarë vjen më pas, karrigia elektrike?”

Zonja Cepi, që merr një rrogë të mjerë prej 2500 eurosh në muaj pikërisht për të gjurmuar e denoncuar raste të ngjashme të abuzimit me fëmijët në rajonin tonë, nuk dëshiron të dëgjojë justifikimet e prindërve të fëmijës.

Atë nuk e zbut as fakti që Muço mistreci, sapo e mbyllën simbolikisht në banjo, nxorri celularin android dhe nisi të luajë për qejf të vet.

“E kuptoni, çerek ore në ato kushte? Jeni kafshë apo çfarë jeni? Përfundimisht, Shqipëria nuk bëhet”, deklaroi ajo duke akuzuar në distance gjithçka e gjithkënd.

Amnesty International, shtoi Kuadratina Cepi, ka nisur mbledhjen e një fondi për t’i ardhur në ndihmë të shkretit Muço.

“Nuk është për t’u çuditur pse dy prindër me emrat Gaz dhe Shkrepse janë një kombinacion kaq shpërthyes. Deri tani janë mbledhur 35 mijë euro”, njoftoi Cepi, “nxitoni, nxitoni, nxitoni”.

Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë satirike e bindur se një mbyllje në banjo here pas here, nuk i bo dhe aq keq kalamonit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne