COVID-19, kryediplomati iranian kërkon që SHBA t’u japë fund sanksioneve

Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Javad Zarif, ka kërkuar nga presidenti amerikan Donald Trump që t’i japë fund ndalesës së shitjes së naftës iraniane pasi vendi përballet me vështirësi në mbështetjen e qytetarëve të saj në mes të koronavirusit të ri (COVID-19).

“Ajo që ne duam është që ai të ndërpresë së penguari Iranin nga shitja e naftës dhe produkteve të tjera, të furnizohet për nevojat dhe të bëjë pagesa”, shkroi Zarif në twitter.

Ai gjithashtu u shpreh se edhe pse Irani është nën kufizime, SHBA u detyrua që të blejë respiratorë nga një kompani ruse që është e përfshirë në listën e të sanksionuarve.

Një dërgesë e respiratorëve të prodhuar nga një kompani ruse nën sanksionet e SHBA-së u transportua javën e kaluar nga Moska në New York për të ndihmuar në trajtimin e pandemisë.

“Ne nuk kemi nevojë për lëmoshë nga Donald Trump”, tha ai.

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë përhskallëzuar që nga maji i vitit 2018, kur Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore që fuqitë botërore nënshkruan me Teheranin për të frenuar programin e tij bërthamor në këmbim të miliarda dollarëve në lehtësim nga sanksionet ekonomike.

Që nga ajo kohë, Trump ka filluar një fushatë për ndryshimin e marrëveshjes, duke përfshirë edhe rivendosjen e sanksioneve ndaj naftës së papërpunuar iraniane, sanksione të cilat u hoqën si pjesë e marrëveshjes.

Zarif më më parë fajësoi sanksionet për paaftësinë e Iranit për të siguruar pajisje mjekësore për të luftuar virusin dhe akuzoi Washingtonin për “terror mjekësor”.

“Kjo madje tejkalon atë që do të ishte e lejueshme në fushën e betejës”, u shpreh ai në një postim në rrjetet sociale më 29 mars.

Irani është një nga vendet më të prekur nga koronavirusi, me 3.872 vdekje dhe 62.589 raste pozitive.

Së bashku me Kinën, Rusinë dhe disa vende tjera, Irani ka qenë i zëshëm për heqjen e sanksioneve amerikane në një kohë kur vendet po luftojnë përhapjen e virusit.

Dështimi i SHBA-së që të lehtësojë sanksionet kundër vendeve të goditura nga virusi shkaktoi një debat në arenën ndërkombëtare.

Më 24 mars, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, bëri thirrje për lehtësimin e sanksioneve kundër disa vendeve, përfshirë Iranin, për të lejuar sistemet e kujdesit shëndetësor të luftojnë sëmundjen dhe të kufizojnë përhapjen globale të COVID-19.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi me epiqendër të re Evropën, pasi Kina kryesisht ka dalë nga kriza.

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me bazë në SHBA, deri më tani numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus ka tejkaluar shifrën 1.4 milionë, me mbi 80 mijë vdekje dhe mbi 298 mijë të shëruar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne