COVID-19/ Menaxhim autoritar me presione policore e dhunim të të drejtave themelore…!

Nga Kastriot Islami

1. Shqipëria është një nga vendet ku gjatë periudhës së pandemisë, qytetarët e izoluar e në stres ekstrem janë trajtuar jo si qenie njerëzore, por si kafshë… edhe përsa i përket respektimit të të drejtave të tyre themelore, edhe përsa i përket presionit e kërcënimeve të ushtruara mbi ta… Ata të ndodhur në izolim e me shumë probleme ekonomike e disa prej tyre edhe deri të ushqimit të përditshëm, ofendohen rëndë, kërcënohen turpërisht apo penalizohen në mënyrë të pamëshirshme… si në asnjë vend tjetër demokratik… Kjo sjellje është e qëllimshme, e programuar, e mirëmenduar… pra s’është spontane apo si reagim ndaj qëndrimeve të papërshtatshme të qytetarëve… Bëhet me një synim të caktuar…

2. Edi Rama qëllimisht kërkon të paraqitet para qytetarëve të tij si një individ autoritar e liberal, të cilin duhet ta kenë frikë të gjithë si në vendet autoritare… Si një individ që di gjithçka dhe urdhëron për gjithçka… Një individ që nuk ka nevojë as për ligj, as për Kushtetutë, as për mendimin e ekspertëve… Një individ që i vendos të gjitha vetë me mendjen e tij dhe s’ka ndërmend të bëjë asnjëherë transparencë apo të respektojë shtetin ligjor…

3. Rama qëllimisht përdor një gjuhë të egër e të ashpër ndaj qytetarëve për t’i frikësuar, nënshtruar dhe detyruar ta shikojnë si të vetmen zgjidhje… Ta shikojnë si të vetmin autoritet shpëtimtar që mund t’ju shpëtojë jetën. Sepse ai nuk është thjesht një kryeministër i një vendi demokratik, por ai është edhe prifti i tyre, edhe mësuesi i tyre, edhe mjeku i tyre, gjithçka… Ai qëllimisht bën policin e egër dhe prokurorin e vrazhdë për të treguar se lindja, jeta dhe vdekja e të gjithëve është vetëm në dorën e tij…

4. Madje gjatë këtyre ditëve të vështira, që të gjithë janë të izoluar dhe mendojnë për jetën e prindërve të tyre edhe bukën e fëmijëve, ai nuk harron të vjedhë përmes tenderave, të favorizojë oligarkët dhe të mendojë si t’ju rrëmbejë aksionet kompanive që po i zhyt qëllimisht në krizë ekonomike e falimentim…

5. Kjo e gjitha është jo vetëm e qëllimshme, por edhe e mirëprogramuar në mendjen e tij të sëmurë… ndërkohë që shumë vetë mendojnë se është edhe e “telekomanduar”…

6. Ai ka bindjen e thellë se regjimet autoritare e iliberale kanë qenë të suksesshme në menaxhimin e pandemisë, prandaj ka vendosur t’i imitojë ato, për më tepër që ka bindjen e thellë se pas krizës do t’i duhet të rreshtohet me to si njëri nga më të suksesshmit prej tyre…

7. Për më tepër, ai ka po ashtu bindjen se vendet demokratike, si SHBA, Gjermania, Franca, Italia e tjerë po dështojnë në menaxhimin e pandemisë dhe për rrjedhojë ato nuk përbëjnë më një model që duhet ndjekur prej tij… për më tepër që ka bindjen se e ardhmja në “rendin e ri global” nuk iu përket atyre… Madje kam shumë frikë se në mendjen e tij të “sëmurë” po imagjinon jo vetëm si ta nxjerrë vendin nga shinat e demokracisë e pluralizmit, por edhe si të rikonfigurojë pas kësaj pandemie apo me “fillimin e rendit të global”, marrëdhëniet e “partneritetit” me vendet që ai i klasifikon të dështuara nga menaxhimi i kësaj krize dhe marrëdhëniet me vendet që ai ka bindjen se kanë qenë të suksesshme, të cilat i imiton, kopjon dhe ndjek hap pas hapi…

8. E gjitha kjo sjellje fsheh një qëllim: si të ruajë dhe të forcojë pushtetin e tij personal, tashmë të degraduar rëndë edhe në sytë e partnerëve perëndimorë… Madje të diskredituar edhe më shumë edhe gjatë ditëve e javëve të kësaj krize… që ai përpiqet ta shesë përmes medias që kontroll plotësisht si sukses…

9. Në Shqipëri janë aplikuar gjatë pandemisë masat më drastike në botë të shoqëruara me veprime policore… Qytetarët kërcënohen çdo ditë me ndëshkime penale, me burg, me sharje e ofendime të paimagjinueshme… Kryeministri është edhe virolog, edhe epidemiolog, edhe polic, edhe prokuror, edhe roje burgu… Kryeministri me maskë, nga “bunkeri” i tij në Surrel, lëshon deklarata pa e çarë fare kokën për shtetin ligjor… Kryeministri, nga zyra ulëret e thërret për “luftë”, për pagesë luftë, për buxhet lufte… pa bërë asnjë transparencë…

10.  Në Shqipëri, kryeministri deklarohet menaxheri i epidemisë… Ai nuk lejon askënd të tjetër të bëjë publike shifrat e statistikat, kurbën e përhapjes së virusit, ditën kur do të jetë “piku” i pandemisë …cakton sa do të jetë shifra ditore e të prekurve, e vdekjeve, e të spitalizuarve, e të shëruarve… datën kur do të futen qytetarët në izolim dhe kur do të dalin prej tij, kur do të hapen shkollat e kopshtet, kur do të fillojë kampionati i futbollit, e tjerë e tjerë… pa pyetur askënd, pa u konsultuar me askënd, veçse duke marrë “miratimin” e kupolës së kukullave servile të emëruar prej tij…

11. Kryeministri po përgatitet që me gjoja “mbështetjen” e “kërkesën” e qytetarëve të tmerruar prej tij nga “rreziku” i koronavirusit të vendosë në vend regjimin autoritar oruellian të “përgjimit dhe gjurmimit” elektronik të të gjithëve pa përjashtim… Sepse vetëm kështu, ai mund t’ju shpëtojë jetën nga “armiku i padukshëm”… Sepse vetëm kështu, armiqtë e brendshëm e kundërshtarët do të mbyllin gojën dhe do të rreshtohen me qytetarët që duan të shpëtojnë jetën, qoftë edhe pa liri, edhe pa të drejta themelore, edhe të nënshtruar, madje edhe me vetëm pak bukë e ujë e asgjë tjetër…

12. Qytetarë duhet të ndërgjegjësohen se kjo e gjitha nuk është as fantazi dhe as hiperbolizim, por lexim i marrëzisë që rrotullohet në kokën e sëmurë të një individi që po e çon vendin në greminë dhe qytetarët në katastrofë, madje me mbështetjen e pareflektuar, me mirëkuptimin e heshtur apo indiferencën e tyre olimpike…

13. Nesër do të jetë shumë vonë për të kuptuar thelbin e deklaratës së marrëzisë: “s’keni parë gjë akoma…!”. /SYRI

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne