Çudi shqiptare: Ditën e parë – pushkë, të dytën – festë!

Zylyftar Hoxha

7 prilli i vitit 1939, pa dyshim, është një nga datat më të errëta të historisë së Shqipërisë, është një nga fatkeqësitë më të mëdha që ka njohur ky vend në shekuj, një fatkeqësi kombëtare jo e zbritur nga qielli, por e krijuar nga njerëz të veçantë me emër e mbiemër, njerëz të paskrupullt, tradhtarë të shitur që kanë venë interesat e tyre familjare mbi ato kombëtare dhe që fatkeqësisht nga disa partitë tona të opozitës, merren në mbrojtje. Merren në mbrojtje dhe kërkohet t’i bëjnë heronj ata që bashkëpunuan me fashizmin, kuislingë me damkë historike, që me duart e tyre të përgjakura i kanë bërë varrin Shqipërisë, jo në mënyrë figurative, por ia kanë bërë vërtet, duke derdhur lumenj gjaku dhe humbur vite tërë zhvillimi.

Nuk mjaftoi 7 prilli, pushtimi i Shqipërisë dhe tradhtia e Mbretit Zog, por turpi duhej çuar më tej. Oborrtarët puthadorë të Zogut, servilë klasikë dhe tradhtarë deri në thonj, më datën 12 prill 1939 mbledhin Asamblenë Kushtetuese Kombëtare dhe marrin vendime zyrtare për nënshtrimin e plot të vendit, duke theksuar në to “mirënjohjen për ndihmën që i ka dhënë Duçja Shqipërisë”!…

Vetëm një javë më pas, në marrëveshje me autoritetet italiane të pushtimit, në Tiranë u formua një Komitet Administrativ nën kryesinë e Xhaferr Ypit. Ky komitet vendosi formimin e një Asambleje Kushtetuese, në të cilën u zgjodhën personalitetet më të spikatura të jetës politike, shoqërore, artit, kulturës etj., nga e gjithë Shqipëria.

Kjo asamble, më datën 12 prill paradite, u mblodh në sallën e Parlamentit. Ja si e përshkruan kronikën e ngjarjes gazeta “Shtypi” nr 570- 576, Tiranë, prill 1939:

“Asambleja Kushtetuese Kombëtare, e cila u mblodh në Tiranë më 12 prill 1939, miratoi njëzëri këtë Proces-verbal:

(Sipas Jakomonit, thirrja e kësaj Asambleje dhe data e saj, ishte urdhëruar drejtpërdrejtë nga Duçja , në  telegramin e datës 9 prill)

“Asambleja Kushtetuese Kombëtare, përfaqësuese e popullit shqiptar dhe interprete e vullnetit të tij, e mbledhur në Tiranë më 12 prill 1939 të epokës fashiste, vendosi sa vijon:

Regjimi që ka qenë deri tashti në Shqipëri, ka ramë. Kushtetuta, burim i këtij regjimi, abrogohet. Krijohet një Qeveri e emnueshme prej Asamblesë, që ka pushtet të plotë.

Asamblea deklaron se populli shqiptar duke e kujtue dhe duke qenë mirënjohës për veprën ndërtimtare të dhënë prej Duçes dhe prej Italisë fashiste, për zhvillimin dhe për përparimin e Shqipërisë, vendos që ta shoqërojë më afrimisht jetën  dhe fatet e Shqipërisë me ato të Italisë, duke caktuar me të nyje të një solidarësije gjithmonë më të ngushtë. Marrëveshje të frymëzuara kah kjo solidarësi do të lidhen suksesivisht midis Italisë dhe Shqipërisë.

Asambleja Kushtetuese Kombëtare, interprete e vullnetit të një zërit, ringjalljeje kombëtare të popullit shqiptar dhe si besë solemne për realizimin e tij, vendos që ta ofrojë në formën e një bashkimi personal kurorën e Shqipërisë, Madhërisë së tij Viktor Emanueli III, Mbretit të Italisë dhe Perandor të Etiopisë, për Madhërinë e tij dhe për trashgimtarët e tij mbretërorë.

I ngjitur me verbalin e 10 prillit 1939: Xhafer Ypi d.v, Anton Beça d.v, Fejzi Alizoti d.v, Shefqet Vërlaci d.v, Francesco Babuscio Rizzo (sekretar) d.v, Francesco Jacomoni (ministër) d.v.

U vendos t’i dërgohet telegram falënderimi Duçes.”

Pasi emëroi qeverinë shqiptare të kryesuar nga kryeministri Shefqet bej Vërlaci, asambleja vendosi që të zgjidhte një dërgatë (delegacion), të përbërë nga personalitete prej të gjitha qarqeve të vendit, e cila do t’i dërgonte kurorën e artë të Skënderbeut në Romë, Mbretit të Italisë dhe Perandorit të Etiopisë, Viktor Eamanuelit III, i cili në bazë të vendimeve të marra nga Asambleja Kushtetuese, shpallej edhe Mbret i Shqipërisë. Sipas vendimeve të marra nga Asambleja Kushtetuese, kjo mërgatë, e përbërë nga personalitete dhe patriotë të shquar prej të gjitha trevave të Shqipërisë, si Shefqet Vërlaci (me të gjithë anëtarët kabinetit të tij), Dhimitër Berati, ish ministri i Shqipërisë në Romë , si edhe përfaqësuesit e Asamblesë Kushtetuese nga krahinat  e vendit: Sami Vrioni, Qemal Vrioni, Ferit Vokopola, Pilo Papa,  Vangjel Haxhistasa  (Berati), Zef Kadarja, Ali Qoralliu, Ismail Petrela, Siri Toptani (Tirana), Dhimitër Popa,  Kristaq Zaguridha, Shefqet Çelkupa, Shahsivar Alltuni (Durrësi), Ndoc Pistulli, Omer Kopliku, Kol Bibë Miraka, Mark Kakariqi, Omer Ruzhdiu ( Shkodra), Selim Mborja, Thodoraq Mano, Rafail Prodani, Xhevat Starova (Korça), Reis Selfo, Jani Dado, Niko Tola, Savfet Libohova, Rexhep Plaku, Sulo Gjyberi, Petrit Gega, Burhan Beu, Hiqmet Hadëri, Kristofor Harito (Gjirokastra), Visarion Xhuvani, Dervish Biçaku, Behxhet Hydi, Ibrahim Biçaku, Qemal Karaosmani (Elbasani), Ali Asllani, Kristaq Strati (Vlora), Cen Elezi, Selim Kaloshi, Shaqir Dema, Faik Shehu (Dibra), Ismet Kryeziu, Avni Gjilani, Rrok Berisha (Kosova).

Dërgata u nis për në Romë më datën 14 prill, ku pasi u prit nga autoritetet më të larta italiane, të kryesuara nga vetë kryeministri Benito Musolini (Duçe-ja), në mes ceremonive të shumta i dhuroi Mbretit Viktor Emanuelit kurorën e artë të Skënderbeut.

Më 16 prill 1939, delegacioni i Asamblesë Kushtetuese të Shqipërisë, i hipur në 14 karroca, shkoi në Pallatin Mbretëror në Romë, ku i priti Viktor Emanueli III.

Shefqet Vërlaci i lexoi Mbretit këtë mesazh: “Po vijmë tek Ju të dërguar nga populli shqiptar, që shfaqi dëshirën e tij në gjirin e Asamblesë Kushtetuese, të mbledhur në Tiranë, më 12 prill 1939. Vijmë  në emrin e këtij populli, i cili unanimisht i dhuron Madhërisë s’Uaj me bindje shpirtërore, kurorën e Shqipërisë. Kjo kurorë është e denjë për lavdinë t’Uaj pse ka rrethuar kryet e Skënderbeut, Heroit Kombëtar shqiptar, i cili e valëviti edhe më parë flamurin e vet pranë atij të kombit italian. Me besim në zemër se Madhëria e Juaj do ta pranojë këtë dëshirë të shqiptarëve, po u paraqesim sot dëshminë dhe besimin e besnikërisë dhe atë të të gjithë popullit shqiptar”.

“Festë” në të gjithë Shqipërinë!…

Këshilli Ministror vendosi që ditët 12, 13 dhe 14 prill të jenë festë kombëtare dhe u lajmëruan telegrafisht të gjitha zyrat qeveritare që të kenë pushim. Tirana ishte në festim të math, ndërtesat publike ishin të ndriçuara, rrugët kryesore me shtylla të posaçme kremtimore dhe me drita dhe populli në lëvizje të madhe festimi. Me anë të Qarkores telegrafike drejtuar të gjitha Prefekturave dhe Nënprefekturave, Kryesia e Këshillit Ministror u njoftoi vendimet e Asamblesë Konstituente, domethënë: Rrëzimin e Dinastisë “Zogu” dhe të regjimit të tij, afrimin e Kunorës Mbretnore M. T. Viktor Emanuelit të III, Mbret e Perandor i Italisë, si Mbret i Shqipërisë, ruajtjen e Flamurit dhe Indipendencës dhe të sovranitetit shqiptar dhe formimin e qeverisë së tij nën kryesinë e Shk. T. Z. Shefqet Vërlaci.

 

Nga kronikat e kohës

Gjatë ditëve 14,15 dhe 16 prill, manifestimet e popullit kanë qenë të zjarrta. Rinia shkollore dhe jashtëshkollore në demonstrata të vazhdueshme, shprehte enthuziazmin e saj më të madh për ngjarjen e lumtur të pranimit të Kunorës së Gjergj Kastriotit nga ana e Mretit-Perandor, Ushtar dhe të Mirë, Viktor Emanueli i III-të. Fjalimet plot kuptim që mbajtën prej Shk. Së tij Anton Beça, si dhe prej Prefektit zotit Banush Hamdi Bego dhe Profesor Resuli, zgjuan edhe më enthuziasmin e popullit, i cili sheh qartazi se ka hyrë në rrugën e realizimeve të mëdha. Gjer në orët më të vona të natës, vazhduan manifestimet e popullit. Fjalimi i Kontit Çiano i mbajtur në Dhomën e Fashjove dhe të Korporatave, si dhe lajmet e ardhura nga Roma rreth pritjeve që i rezervuan delegacionit t’onë atje dhe çfaqjeve tepër miqësore dhe dashamirëse për Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar, mbushën çdo zemër shqiptare me krenari dhe me guxim që mbërthyen në manifestimet më entuziaste. Lajmi se Flamuri i Kuq e Zi valoi në të tërë Italinë dhe përkrah të Tringjyrëshit në Kapitol, nuk la asnjë zemër shqiptari të paprekur. Dhe kur u mësua se Mbretëresha-Perandoreshë Elenë u foli shqiptarëve në gjuhën e ëmbël shqipe, enthuziasmi preku kulmin.

 

Në krahina

Po ashtu të zjarrta kanë qenë manifestimet e popullit në çdo qytet dhe krahinë shqiptare. Në bazë të lajmeve telegrafike nga krahinat, populli e kremtoi ngjarjen historike me madhështi dhe enthuziasëm. Duke mallkuar ata që ikën, populli plot shpresa për të ardhmen që nis nën shenjat më të mira, në një mijë mënyra shprehu gëzimin dhe harenë e tij për proklamimin e Madhërisë së Tij, Viktor Emanueli i III, Mbret të Shqipërisë. Në mijëra numërohen telegramet që janë dërguar Mbretit-Perandor dhe Duçes. Telegrame besnikërie dhe mirënjohje të përjetshme. Çdo tregtore, çdo zyrë qeveritare ose private, çdo shtëpi janë të zbukuruara me flamujt vëllezër të Shqipërisë dhe të Italisë dhe me fotografitë e Mbretit-Perandor, të Duçes dhe të Konte Çianos. Ideja për krijimin e Partisë Kombëtare Fashiste Shqiptare është përvetësuar prej çdo shqiptari, i cili shpëtimin e tij si shtetas, si shtet dhe si komb, e sheh vetëm në një Shqipëri Fashiste.

Kthimi i delegacionit

Lajmet që jepshin radiot rreth pritjes madhështore që iu rezervua delegacionit tonë, jo vetëm prej zyrtarëve të Italisë Fashiste, por edhe prej popullit italian, manifestimet e të cilit lajmëroheshin si krejt spontane, e kishin mbushur shpirtin e çdo shqiptari me hare dhe krenari kombëtare. Kështu, populli e priste me një padurim të dukshëm kthimin e delegatëve të tij, për të marrë vesh drejt për drejt dhe nga gojët e tyre. Dhe kur të martën e kaluar në mëngjez u përhap lajmi se pas dreke arrinin delegatët, i gjithë populli mbushi sheshin Skënderbej dhe rrugën e Durrësit, duke pritur ardhjen e tyre. Dita e martë ndonëse nuk ishte ditë pushimi, ishte ditë feste si për Tiranën, ashtu edhe për Durrësin. Një kallaballëk aq i madh, asnjëherë nuk ish parë në dy qytetet.

Arritja në Durrës

Durrësi, që prej orëve të para të pasdrekes, ish i gjithi në kambë. Pikërisht m’orë 16.00 kryqëzori “Giovani delle Bande Nere”, preku në limanin e Durrësit i përshëndetur më shtimjen e 21 topavet. Të parët që zbritën qenë Shk. Tij. Z. Shefqet Vërlaci, kryeministër, i shoqëruar prej Shk, të tyre: Xhaferr Ypi, ministër i Drejtësisë, Xhemil Dino, ministër i P. të Jashtme, Ernest Koliqi, ministër i Arsimit dhe prej z. Zef Kadare dhe Imzot Vissarionit. Në molom kishin dalë për pritjen, Shk. e Tij z. Francesko Jakomoni, ambasador i Italisë në Tiranë, Gjeneral Guzoni, ministër i Ekonomisë Kombëtare Shk. Anton Beça, ministër i Financavet Shk. E Tij, Fejzi Alizoti, Komandanti i Pjacës së Durrësit dhe një shumicë e madhe e popullit të Durrësit. Personalitetet e larta kaluen midis një kompanie ushtarësh Alpinë, që kishin në krye bandën e vet dhe kur hynë në Durrës u pritën prej Prefektit të Durrësit, prej autoriteteve të tjera ushtarake dhe civile, prej të gjithë nxanësavet të shkollave dhe prej një shumice të panumërt populli që brohëriste me një enthuziasëm të papërshkueshëm dhe me duartrokitje të pareshtura. Pas urimeve të mirëseardhjes, delegacioni i shoqëruar prej të gjithë autoriteteve që kishin dalë për pritjen, u nis për në Tiranë.

Arritja në Tiranë

Që prej orës 3 pasdreke, populli i kryeqytetit ish grumbulluar te sheshi Skënderbej dhe rreshtuar anëve të Rrugës së Durrësit. Poshtë Bashkisë ishte rreshtuar një kompani Bersaljerësh.

Lidhur me atmosferën në qytetin e Tiranës në ditët e para të pushtimit fashist, ceremonitë e mitingjet e zhvilluara, si dhe ngjarjen e dërgimit të Kurorës së Skënderbeut në Romë e dorëzimin e saj, Mbretit të Italisë dhe Perandorit të Etiopisë, Viktor Emanueli i III, pati reportazhe dhe kronika të shumta në shtypin shqiptar të kohës.

Njëra prej tyre, gazeta “Drita”, e cila i kushtoi faqet të tëra asaj ngjarjeje, midis të tjerash nën titullin “Manifestime Popullore”, shkruante:

“Manifestime Popullore. Komisioni kthehet në Bashki. Xhaferr beu i transmeton popullit fjalët e Kontit Çiano. Populli elektrizohet. Helmi që kish futur dje në zemër, ata që ikën poshtërisht pasi vodhën arkat, s’bënë më efekt. Italia nuk vinte për të çdukur Shqipërinë, por për ta krijuar me themelet e shëndosha të fashizmit.

Një breshër duartrokitjesh, një gjymim brohoritjesh. Ja Konti Çiano! Komandanti trim dhe i pavdekshëm i Disperatës, zbret nga automobili dhe me buzën në gaz përshëndet alla fashista turmat. Qindra duarsh ngrihen në përshëndetje romake.

Në sallën e madhe të Bashkisë, paria e vendit i rezervon Kontit Çiano pritjen më të bukur. Në fytyrën e Kontit këndohet qartë sadisfaksjon i një fitore romake. Roma shpëtoi popullin shqiptar nga thonjtë e një tiranie të zezë. Ky është misioni i Romës së Duçes. Të jetë roja e pafjetur e popujve punëtorë dhe fukarenj. Konti Çiano shkon në legatën italiane. Tashti e gjithë Tirana noton në ngjyrat italiane dhe shqiptare. Populli rifitoi besimin e tij. Priste qjamet, po u ndodh përpara një dite të bukur të lumtur, ditë shqiptare, thjeshtësisht shqiptare.

Një demonstratë madhështore dhe drejtë e në Legatën italiane. -Rroftë Duçja! -Rroftë Çiano!

Njerëz me pozitë dhe njerëz të popullit hyjnë dhe përshëndesin Kontin. Konti i pranon të gjithë, përshëndetjet, falënderon, enthusiazmon. Dhe e gjithë dita kalon kështu. Hare e dyfishtë: çlirimi nga një tirani, hyrja në një jetë rregulli, pune, drejtësie.

Kalojnë trupat italiane. Zemra shqiptare ndjen një krenari. Kurdoherë e çmonte shqiptari forcën dhe rregullin dhe këto i sheh të mishëruara në djelmoshat trima të motrës së tij të madhe, Italisë Fashiste.

Gjatë ditëve 14,15 dhe 16 prill, manifestimet e popullit kanë qenë të zjarrta. Rinia shkollore dhe jashtëshkollore në demonstrata të vazhdueshme, shprehte enthuziasmin e saj më të madh për ngjarjen e lumtur të pranimit të Kunorës së Gjergj Kastriotit nga ana e Mretit-Perandor, Ushtar dhe të Mirë, Viktor Emanueli i III. Fjalimet plot kuptim që mbajtën prej Shk. Së tij Anton Beça, si dhe prej Prefektit zotit Banush Hamdi Bego dhe Profesor Resuli, zgjuan edhe më enthuziasmin e popullit, i cili sheh qartazi se ka hyrë në rrugën e realizimeve të mëdhenj. Gjer në orët më të vona të natës, vazhduan manifestimet e popullit.

 Fjalimi i Kontit Çiano i mbajtur në Dhomën e Fashjove dhe të Korporatave, si dhe lajmet e ardhura nga Roma rreth pritjeve që i rezervuan delegacionit t’onë atje dhe çfaqjeve tepër miqësore dhe dashamirëse për Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar, mbushën çdo zemër shqiptare me krenari dhe me guxim që shmbërthyen në manifestimet më entuziaste. Lajmi se Flamuri i Kuq e Zi valoi në të tërë Italinë dhe përkrah të Tringjyrëshit në Kapitol, nuk la asnjë zemër shqiptari të paprekur. Dhe kur u mësua se Mbretëresha-Perandoreshë Elenë u foli shqiptarëve, në gjuhën e ëmbël shqipe, ent’huziasmi preku kulmin”.

Shënim: E morët vesh, o shqiptarë, ç’është bërë! Mos u çuditni! Paralelet historike njihen. Edhe sot ka “biçimë” të tillë, që për interesa thjesht personale, janë gati të flenë në një shtart me djallin, japin kufij e dete, vrasin, shkatërrojnë dhe përvëlojnë, pa iu dridhur dora djersën dhe gjakun e vendit të tyre. Dhe në fund…edhe festojnë për krimin që kanë bërë!…

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne