Cunami për priftërinjtë katolikë të Teksasit, publikohen emrat e rreth 300 klerikëve të akuzuar për abuzime seksuale

Kisha Katolike e Teksasit ka publikuar emrat e rreth 300 klerikëve të cilët kanë qenë të akuzuar për abuzime seksuale të fëmijëve gjatë tetë dekadave të fundit. Kjo kishë është duke u përballur me një varg hetimesh nga shteti për shkak të dyshimeve për abuzime seksuale.

Emrat e klerikëve të dyshuar u publikuan në internet nga të gjitha dioqezat e shtetit. Kardinali Daniel DiNardo ka thënë se ky veprim ka qenë gjëja e duhur për t’u bërë. “Klerikët e Teksasit kanë vendosur t’i publikojnë emrat e këtyre persona për shkak se kjo është gjëja e duhur dhe që t’u ofrohet shpresë atyre që kanë vuajtur nga këto veprime. Kisha jonë është dëmtuar nga kjo plagë dhe ne duhet të ndërmarrim veprime për ta shëruar atë”, tha ai.

Në Teksas jetojnë rreth 8.5 milionë katolikë, duke e bërë atë njërin nga shtetet me numrin më të madh të katolikëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kisha e këtij shteti ka qenë në situatë të vështirë pasi hetuesit federalë kishin kryer kontrolle në zyrat e Dioqezës së Galveston-Houstonit në nëntor të vitit të kaluar si pjesë e hetimeve për abuzime seksuale.

Që nga publikimi i raportit të Pensilvanisë, në të cilin përmenden abuzimet seksuale nga më shumë se 300 klerikë, disa dioqeza në tërë vendin i kanë publikuar emrat e abuzuesve të dyshuar. Përveç kësaj, disa shtete kanë hapur hetime kundër kishave, ndonëse Teksasi nuk ka qenë deri tash në mesin e tyre.

Listat e publikuara të enjten janë përgatitur veç e veç nga secila dioqezë. Disa dioqeza kanë përfshirë në këto lista rastet e dyshimta që nga vitet e dyzeta dhe të pesëdhjeta të shekullit të kaluar. Shumica nga klerikët e gjendur në këto lista tashmë kanë ndërruar jetë. Listat më së shumti përfshijnë rastet e abuzimeve seksuale me fëmijë, por ka edhe raste të abuzimit me të rritur.

Sidoqoftë, avokatët për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të abuzimeve seksuale kanë thënë se janë të dëshpëruar nga mungesa e hollësive në këto lista. Paul Petersen, zëdhënës i Rrjetit të Viktimave, ka thënë se mungesa e të dhënave tregon nevojën e madhe për hetim shtetëror të historisë së abuzimeve seksuale nga klerikët e Teksasit, shkruan “The New York Times”

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne