Historia Shqiperia

Dalin faktet e reja/ Mehmet Shehu: Pse nuk e vrava dot Sadik Premten

​Pas tre librave për shkrimtarin e njohur Ismail Kadare të botuara në harkun e një viti, libra që ngjallën polemika dhe reagime të shumta në shtyp e që vazhdojnë ende, gazetari dhe studjuesi i njohur i arkivave, Dashnor Kaloçi, vjen sërish me një libër të ri, të titulluar “Sadik Premte” (Themeluesi i Partisë Komuniste të Shqipërisë, që u luftua për 45 vjet nga Enver Hoxha).

Libri i cili është tejt voluminoz (mbi 600 faqe) vjen në një botim luksoz nga Shtëpia Botuese “ONUFRI” dhe pritet që të dalë këto ditë në qarkullim, është bazuar mbi dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit, ai i Ministrisë së Punëve të Brendëshme, si dhe arkivi personal i Sadik Premtes.
Të gjitha këto dokumente ku pjesa më e madhe e tyre publikohen për herë të parë, janë të shoqëruara edhe me rreth 80 foto të rralla, të cilat gjithashtu janë nga fondi i arkivit personal të Sadik Premtes dhe i janë vënë në dispozicion autorit të librit nga z. Zija Lepenica, (vëllaj nga nëna i Sadik Premtes), që ka vuajtur për 25 vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe po prej 25 vitesh jeton me familjen e tij në SHBA-së.

Libri përbëhet prej 43 kapitujsh në të cilat me analizat dhe shpjegimet përkatëse të autorit, publikohen; letra, raporte, trakte, thirrje, proklamata, njoftime, dëshmi, kujtime, proces-verbale mbledhjesh, etj, të krerëve më të lartë të regjimit komunist të para viteve ’90-të, si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, Rrapo Dervishi, Delo Balili, Llambi Peçini, etj, si dhe ato të emisarit jugosllav, Dushan Mugosha, të botuara fillimisht në Jugosllavi në vitin 1971. Tek të gjitha këto dokumente që mbajnë firmat e tyre, del në pah vija terroriste dhe krimet e shumta që ata kanë bërë jo vetëm gjatë periudhës së Luftës, por edhe më pas, si atentatet ndaj Sadik Premtes në Paris në fillimin e viteve ’50-të. Po kështu në mjaft kapituj të këtij libri, gjenden edhe letra, dëshmi, raporte etj të emrave tashmë të njohur të periudhës së Luftës (1939-1944), si Neki Imeri (Vangjo), Hysni Lepenica, Qazim Çakërri, etj, të konsideruar si armiq të popullit nga hitoriografia zyrtare e regjimit komunist të para viteve ’90-të.
Parathënia e librit është bërë nga studjuesi dhe historiani i njohur, Prof. Dr. Irakli Koçollari dhe aty ka gjithashtu shkrime vlerësuese mbi librin, nga Prof.Dr. Aleksandër Meksi, Prof. e Asoc. Dr. Sonila Boçi, si dhe nga gazetarja e njohur, Monika Shoshori Stafa, Doktore e Shkencave Historike. Nga ky libër ne kemi shkëputur kapitullin që po publikojmë më poshtë në këtë shkrim, duke e botuar pa asnjë shkurtim.

PJESE NGA LIBRI I DASHNOR KALOCIT

Diskutimi i Mehmet Shehut në mbledhjen e celulës së Partisë në Ministrinë e Komunikacioneve: “Unë nuk jam fraksionist, por Sadik Premtja, ua ka kaluar ujin nën rrogoz, burrave më të zotë se unë”. “Edhe mbi Xhepin që më ka shpëtuar nga duart se mua më qe thënë ta likujdoja, por e nënvleftësova sepse ai ishte i zoti t’ja shkonte ujët nën rrogoz edhe burrave më të mira se mua. Mua më ka munguar vigjilenca se isha përgjegjës organizativ i Vlorës. Më iku nga duart për hir të directives, sepse kështu më ishte thënë se situata ishte e atillë në Vlorë, që të gjeja disa forma të përshtatshme për likujdimin e tij. Unë u mundova të gjeja formën dhe kur më kërkoi leje, ia dhashë. Kjo sepse më mungoi vigjilenca dhe jo sepse isha unë komplotist me fraksionin e Xhepit”.

“Xhepin duhet ta likujdonim, kjo nuk mund të bëhej në ato rrethana, vendosëm që Xhepin ta nisnim për në Skrapar dhe gjatë rrugës ta ekzekutonim. Xhepin ka qënë rasti për ta kapur, kurse Liri Gega e la”. Ky dokument që po publikojmë në këtë kapitull të librit i përket vitit 1948 dhe ai është një proces-verbal i një mbledhje të jashtëzakonëshme të celulës (organizatës) komuniste të Ministrisë së Komunikacioneve, ku në atë kohë bënte pjesë dhe Mehmet Shehu, i cili sapo ishte shkarkuar nga funksioni i Shefit të Shtatmadhorisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ishte dërguar atje nga Enver Hoxha, duke u akuzuar si i implikuar me Nako Spiron, që sapo kishte ndërruar jetë, apo i vetëvrarë, sipas versionit zyrtar të asaj kohe.

Në këtë kuadër është mbajtur edhe mbledhja në fjalë që na paraqet ky dokument arkivor, i cili mendojmë se është me mjaft interes, pasi përveç problemit të Sadik Premtes që përmëndet aty nga Mehmet Shehu, hidhet dritë e ndriçohet sadopak edhe ngjarja mjaft e përfolur e pushkatimit të 67 ballistëve në periudhën e luftës në tetorin e vitit 1943 në fshatrat e Myzeqesë. Në mbledhjen e asaj celule, Mehmet Shehu bën autokritikë të thellë dhe tregon qartë se si ai ishte caktuar nga eprorët e tij (nënkuptohet Enver Hoxha), për të eleminuar fizkisht Sadik Premten. Lidhur me këtë ai është shprehur: “Edhe mbi Xhepin që më ka shpëtuar nga duart se mua më qe thënë ta likujdoja, por e nënvleftësova sepse ai ishte i zoti t’ja shkonte ujët nën rrogoz edhe burrave më të mirë se unë”.

Po kështu më poshtë Mehmet Shehu në autokritikën e tij, shprehet se se ai nuk ka mundur ta likujdonte dot fizikisht Sadik Premten jo se ai ishte pjesë e fraksionit të tij, gjë për të cilën e akuzonin edhe për Nako Spiron. Ajo që bie në sy në këtë dokument, është dhe pjesëmarrja në mbledhjen e kësaj celule edhe e Njazi Islamit, në atë kohë në funksionin e Ministrit të Komunikacioneve, e cili vetëm pak kohë më pas u gjet i vdekur me plumb pistolete në vilën e tij, (diku fare pranë aty ku ka qenë selia e ambasadës frenceze para viteve ’90-të)ku sipas versionit zyrtar, ishte një vetëvrasje. Por pas viteve ’90-të, bashkëshortja e tij në një intervistë të gjatë që na ka dhënë publikisht (për Gazeta Shqiptare), ka deklaruar se Najzi Islami u vra nga njerzit e Sigurimit të Shtetit, të cilët kishin mundur të hynin fshehurazi në vilën ku banonin ata në atë kohë. Po kështu në këtë proces-verbal mbledhjeje, përveç problemit të “Xhepit”, Mehmet Shehu flet më shumë dhe akuzon hapur Nako Spirun, si të përshirë në “veprimtari kundër vijës së partisë”.

Për më shumë rreth kësaj si dhe ngjarjeve të tjera të ndodhura në atë kohë, na njeh dokumenti në fjalë i cili ka rreth 10 faqe, por ne kemi shkëputurt dhe po publikojmë vetëm atë pjesë ku bëhet fjalë më shumë për Sadik Premten. Proçesverbali i Mbledhjes së jashtëzakonëshme të celulës së Ministrisë se Komunikacioneve. 11.04.1948 Mehmet Shehu: “Më duke se pyetja nu u shtrua mirë. Kësaj celule përmbajtja e rezolicjonit i intereson dhe nga fakti se brenda në të, bën pjesë një anëtar i saj, që siç thekson rezolucioni, bënte pjesë si fraksionist. Celula duhe të kërkonte skjarime nga unë, se si i shikoj këto gjëra, ç’marrëdhënie kam pasur unë me Nako Spiron dhe ç’punë kam bërënë ushtri. Ka kohë që unë e kam bërë atokritikën para Byrosë së Partisë. Shoku Zihni rradhiti këtu vetëm katër pika nga të mijat. Ktu nuk u thanë të gjitha ato që unë kam bërë dhe akuzat që më bë mua Partia. Unë e ndjej për detyrë që të bëj diçka më tepër. Këtu nuk mund t’i them të gjitha pa autorizimin e Partisë, për arsye se ka sekrete ushtarake, por do të them ato që mendoj se duhen të thuhen.

***

Në fraksionin e Nako Spiros del dhe emri im. Zihniu tha se siç ka punuar Nako Spirua në sektorë të ndryshëm, ashtu ka punuar edhe Mehmet Shehu në Ushtri. Nakon e kam njohur që më 1943 në Labinot ku ka bërë një referat. Referati më ka pëlqyer, më vonë kam pasur disa takime të rralla. Mbas çlirimit e kam takuar, në fillim më ka bërë përshtypje të mirë. Më ka folur kundra Liri Gegës, siç më kishte folur dhe komandanti me të cilën unë kam qenë në shumë kundërshtime, e kam luftuar, por tani unë e kuptoj se më ka folur me qëllim, më ka prekur në plagën t’ime, më ka folur me qëllim spekullimi. Me Nakon kam pasur marrëdhënie të mira shoqërore, kam pasur simpati e kam besuar absolutisht. Këtu më ka munguar vigjëlenca dhe kujdesi, nuk kam qenë në gjëndje të shikoj se çfarë thotë Nakua dhe se çfarë bën, kur Nakua ka vrarë veten, për mua ka qenë befasi.

Më ka pyetur njëherë kur do të vinë kamionët nga Franca, s’kemi, si shkoni me Drejtorinë Politike, megjithëse çështjet ushtarake shtroheshin edhe në Byro, më pyesete dhe jashtë. Nako Spirua nuk ka guxuar kurrë të më flaësë haptazi si aiu e dinte kokën time, e dinte qëndrimin tim kundra fraksionistëve, karshi fraksionit të Xhepit un i kam duart me gjak, e dinte se si e konsideroja unë unitetin e partisë, me mua mbante lidhje shoqërore, por s’ka guxuar të më flasë hapur siç mund të ketë bërë me Liri Belishovën dhe Fadil Paçramin. … Masa që ka marrë partija është me vënd, jo se jam fraksionist, pse s’jam, jo se kam bërë punën e Nako Spiros, sepse mua nuk më ka thënë asgjë kundra partisë, por sepse nuk I ka interpretuar mirë dhe zbatuar mirë bashkëpunimin me Jugosllavinë. Bashkëpunimi ka ekzituar, por jo sa duhet si dhe në mungesën e vigjëlencës për Nako Spiron, këtu qëndron faji im dhe këtë e pranoj. Për mua dënimi që më ka dhënë partija nuk ka aq rëndësi në lidhje me shkarkimin si Shef i Shtatmadhorisë se sa si kandidat i K.Q., ku kam qenë për një vjet e sa dhe kandidat I byrosë.

Un këtë ua them se nuk jam fraksionist. Dënimi është I rëndë dhe i drejtë, koshienca ime nuk e ndej veten të larë edhe sikur Komiteti Central të më thoshte se hajde prap në K.Q. se kemi gabim, ipotezë, un këtë do t’ia laj me gjak dhe jam në gjëndje ta bëj. Unë nuk kam shkuar në Spanjë, në burgjet e fashizmit, dhjetë vjet luftë, djegur shtëpija dhe sakrifica për të bërë punën e fraksionit. Un pranoj gabimet dhe dënimin e partisë, un do të qëndroj besnik I partisë, do të qëndroj deri në vdekje, duart e mija janë lyer me gjak kundër fraksionistëve, kundra fraksionit të Xhepit. Këtë e di partija. Un këtë do ta tregoj me punën time të përditëshme dhe po të jetë nevoja dhe me gjak. Un nuk pranoj që biografie ime të lyhet me të kompanisë të Nako Spiros, që s’e ka shkrepur asnjëherë. I thonë dhjetë vjet me pushkë në dorë jo për Shehun t’im, por për partinë. Partija thot se un kam shpresë, unë them se duhet të ketë besim dhe këtë jam në gjëndje ta bëj.

***

Refleksi i punës që bëhet në sektorin ekonomik, kulturor, reflektohet tek unë në një anë, dhe tek Nako Spiru nga ana tjetër, bën që marrdhëniet tona të mos ecin si duhet, sado që është bërë mjaft. Ç’ më mëson mua tradhëtia e Nako Spiros?! Është një kthesë për mua vendimi që ka dhënë Partia, mbi mua. Është vendim i drejtë dhe njëkohësisht i rëndë, sidomos tamam siç thanë shokët se jam dhe antar i vjetër. Unë i vë si detyrë vetes rishikimin e punës sime, reflektimin e të gjitha të metave të mia dhe të konkludoj, se unë kam bërë faj shumë të madh, se nuk kam qënë në gjëndje që të kuptoj se influenca e Nako Spiros është reflektuar mbi mua pa e shikuar unë fare. Edhe mbi Xhepin që më ka shpëtuar nga duart se mua më qe thënë ta likujdoja, por e nënvleftësova sepse ai ishte i zoti t’ja shkonte ujët nën rrogoz edhe burrave më të mirë se unë. Mua më ka munguar vigjilenca, se isha përgjegjës organizativ i Vlorës. Më iku nga duart për hir të directives, sepse kështu më ishte thënë se situata ishte e atillë në Vlorë që të gjeja disa forma të përshtatshme Î 19 për likujdimin e tij. Unë u mundova të gjeja formën dhe kur më kërkoi leje, ia dhashë.

Kjo, sepse më mungoi vigjilenca dhe jo sepse isha unë komplotist me fraksionin e Xhepit. Fraksioni i Nako Spiros ma çimentoi besimin mbi K.Q. të Partisë tonë mbi shokët drejtues të Partisë dhe të mos ta konfondoj personin me Partinë. Kjo më jep si mësim që fjalën që thotë tjetri, ta kontrolloj dhe ta reflektoj dhe kur ta pranoj, të jem i ndërgjegjshëm dhe të marr përgjegjësi se kjo është influencim. Unë konsideroj punën e Nakos Spiros si punë tradhëtare anti-parti, e bërë me qëllime të caktuara dhe unë e kuptoj se Nako e ka bërë me qëllim që unë të shfrytëzoj influencën e tij, për ta përdorur postin tim për interesat e tija. E gjithë puna që ka bërë, të gjitha këto tregojnë që Nako Spiro ka pasur qëllim të na shkëpuste nga Jugosllavia, që puna jonë të pengohej kundër zhvillimit ekonomik të vëndit, të ishim të izoluar, dhe kjo me siguri matematikë me humbje absolute. Nga ana tjetër me planet e fryra, t’i premtojë popullit lumturi për të dalë si triumfator. Jo vetëm marrdhëniet që ka pasur Nakoja me mua por qëllimet e tij, me gjithë shokët kanë qënë që të gjente rastin tu hapej, dhe kur të vinte rasti t’i shfrytëzonte.

Nako Spiro, duke ditur çfarë qëndrimi kam mbajtur karshi Xhepit, Liri Gegës, Sejfulla Malëshovës, nuk do të guxonte të më fliste mua hapët. Nakoja godiste atje ku më dhimbte mua. Më ka folur kundër Liri Gegës, e Sejfulla Malëshovës, kundra Xhepit etj. Po sidomos kundra Liri Gegës e Sejfullait. Partia, e di qëndrimin tim karshi Liri Gegës e Sejfulla Malëshovës. Ky është një mësim i madh siç është për të gjithë Partinë dhe aq më tepër për mua, sepse emri emri im përfshihet atje, ka një njollë, po unë i premtoj Partisë, se nuk e shtroj që unë do të korigjohem, por do ta laj. Për mua personalisht kjo do të quhet e larë kur unë, të bindem se e kam larë. Qoftë kjo si ushtar me pushkë në dorë, qoftë si puntor i thjeshtë në kantier dhe tamam sepse jam antar Partie i vjetër, me një të kaluar jo të keqe, tamam për këtë gërryhet koshienca ime ditë e natë, dhe pse unë këtë nuk e kuptova përpara se të ma thoshte Komiteti Qëndror. Pse po të ma bënte edhe me sy siç thotë populli, unë do ta dënoja ashtu si K.Q. Për këtë Komiteti Qëndror ka të drejtë që unë për këto faje të hiqem nga Pleniumi i K.Q. dhe të më jepet një vënd që unë nuk e meritoj. Unë do të kërkoj të jap prova konkrete jo si Ministër, duke shkruar në tavolinë po të ishte luftë, unë do të shkoja jo si Gjeneral, por si ushtar.

Tani që s’është luftë, do t’i kërkoj Partisë të shkoj si traktorist në zanatin tim, që t’i kem mbi vete të gjithë, derisa t’i provoj Partisë, se unë nuk e kam bërë me koshiencë. Kanë të drejtë shokët që ekzaltohen por unë nuk e pranoj që të quhem fraksionist, se këta janë futur që në fillim në Parti me këto qëllime. Këta kanë punuar në këtë drejtim. Unë kam luftuar kundër këtyre fraksioneve. Ka arritur që të grindem me mënyra skandaloze me Sejfullain, për çështjen e nënvleftësimit të Ushtrisë. Unë e dënoj fraksionin e Nako Spiros, ashtu si të Sejfulla Malëshovë. Një nga këta njerëz që janë influencuar kam qënë edhe unë dhe për këtë unë pranoj dënimin e Partisë” . Njazi Islami: “Shoku Mehmet ka pasur mëndjemadhësi. Në Lushnje u pushkatuan 67 vetë nga Brigada e Parë. Këto pushkatime u bënë në vënd të 46 vetëve. Ranë në kundërshtim me vendimin e gjyqit, kjo është mëndjemadhësia. Ka pasur urdhër nga Partia që të likujdonte Xhepin dhe të gjente formën, forma cila ishte? Që t’i jepte leje Xhepit! Midis Shtatëmadhorisë e Drejtorisë ka pasur apo jo kundërshtime, kur u kthye shoku nga Moska, kam qënë në Komandën e Divizionit, dhe kur ka bërë Mehmeti një inspektim në ushtri, ka thënë, se; në Korçë mungon drejtimi dhe nuk del roli i Komandës, sepse atje ka qënë një puntor si Beqir Balluku.

Mehmet Shehu: “Unë kurrë, nuk i kam nënvlerësuar kuadrot e luftës. Ka qënë tek unë mbivlerësimi tek tuk si Shefqet Peçi, Shaban Strazimiri, ose Qazim Kondi. Për pushkatimin ka qënë devijim, por nuk është fraksion nën influencën e fraksionit. Gjyqi vendosi 67 dhe pushkatoi po aq. Përgjegjësia qëndron se unë kam qënë antar gjyqi dhe kam predominuar, dhe për këtë gjë unë jam kritikuar. Xhepin duhet ta likujdonim, kjo nuk mund të bëhej në ato rrethana, vendosëm që Xhepin ta nisnim për në Skrapar dhe gjatë rrugës ta ekzekutonim. Xhepin ka qënë rasti për ta kapur, kurse Liri Gega e la. Marrdhëniet e mia me Drejtorinë Politike nuk kanë qënë ato që duhet të ishin. Kjo u shtrua në Byro por punët e tepërta, kjo çështje nuk mori përfundim. Gjeneral Kristo Themelkon, unë nuk e kam nënvlerësuar dhe e kam konsideruar si shoku më me përgjegjësi se unë. Në Korçë nuk ka pasur drejtim.

Beqir Ballukun nuk e kam nënvlerësuar. Mendimi im për Beqirin ka qënë se ai ishte një nga Komandantët më të mirë. Për mbivlerësimin e Shefqet Peçit kam bërë autokritikë.Meno Andoni: “Kur u bë parakalimi më 10 Korrik 1946, kanë parakaluar oficera si Perikli Kondi, që është kushëri i tim eti. Nuk kishte oficera të tjerë? Ç’ bënte shtatmadhoria që i la këto njerëz”?!

Mehmet Shehu: “Më 10 Korrik 1946, unë kam qënë në Moskë. Perikli Kondi ka qënë hequr nga ushtria “.

Meno Andoni: “ Diçka dëgjohej nga populli, se Fiqret Sanxhaktari ka pasur ulje.

Zihni Muço: “Nuk diskutojmë gjëra personale, por fraksionin e Nako Sipros. Këto nuk janë të mira, por krejt personale”./ panorama

OPINIONE

INTERVISTA