“Dalja të ishte të paktën dy herë në javë”, pensionistët mbushin parqet e flasin për izolimin: I dëmshëm për ne

Pensionistët i janë gëzuar si fëmijë liridaljes së përcaktuar për ta sot deri në orën 11:00.

Në çdo qytet ata kanë dalë duke mbushur rrugët e parqet, e dyta herë që nga izolimi për shkak të pandemisë së koronavirusit. Kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë ishin mbushur plot sot nga të moshuarit që me miq apo dhe çift kanë përfituar për të shtriqur këmbët në një shëtitje të gjatë.

Në prononcime për gazetaren Klodiana Lala pothuajse të gjithë kanë kërkuar që kjo liridalje e tyre të jetë të paktën dy herë në javë pasi izolimi është tepër i dëmshëm për ta.

Misheli dhe Luiza, janë një çift bashkëshortësh që janë prej 53 vitesh së bashku. Sot si shumë moshatarë të tjerë edhe ata kanë dalë për shëtitje.

“Kjo e lëvizjes të ishte të paktën dy herë në javë. Më shumë fasha për të moshuarit, nuk është e mjaftueshme”, thotë burri.

“Deri tani i kryejmë vetë shërbimet. Vajzën e kemi afër, kujdeset për ne. Sot mora shkopin se kjo periudhë na ka bërë shumë keq. Të frikësuar nuk jemi, sepse mosha sa të jemi të jemi”, thotë Luiza që ka qenë farmaciste prej një jete të tërë.

Një tjetër grua shprehet se nuk e ka ndjerë shumë karantinën pasi ka shtëpinë me oborr.

“Faleminderit dhe kaq. Unë kam oborr dhe i kaloj ditët. Sigurisht të afërmit, takimet me ta na mungojnë. Nuk ndihem e frikësuar. Jetoj me vajzën e dhëndrin dhe nga këto gjëra nuk vuaj”, tha e moshuara.

“Nuk është i mjaftueshëm ky orar. Duke ndenjur të mbyllur në shtëpi ndihemi si të këputur. Të ishte të paktën 2-3 herë në javë”, shprehet një tjetër pensioniste.

Një çift i moshuar flasin sërish për praninë e fëmijëve në ndihmë të tyre.

“Kemi shumë nipër e mbesa dhe na i sjellin çdo gjë.

Ne ishim mësuar të dalim çdo pasdite, e kemi pak të vështirë por duhet të mësohemi. Për 1 muaj e gjysmë dy herë kemi dalë. Për ne të ishte të paktën dy herë në javë”, thonë ata./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne