Danimarka kundër zgjerimit të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit

Danezët janë kundër integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Ky është përfundimi i një sondazhi të realizuar nga Institucioni i Statistikave të Danimarkës për Universitetin Aalborg. Në sondazh rezultoi se 46% e të anketuarve janë kundër zgjerimit të mëtejshëm të BE dhe vetëm 20 janë shprehur pro zgjerimit.

“Zgjerimi ka çuar në një BE më të madhe dhe më shumë stabilitet në rajonin e Ballkanit, por lëvizja e lirë nuk ka sjellë gjithmonë ndryshime pozitive, të tilla si në lidhje me Rumaninë”, deklaroi Peter Nedergaard, profesor në shkencat politike në Universitetin e Kopenhagenit.

Problematikat me lëvizjen e brendshme të njerëzve nga Europa lindore në vendet si Danimarka shihen si faktorët që kanë sjellë këtë skepticizëm të madh përsa i përket zgjerimit të mëtejshëm të BE.

“Shumë rumunë po sillen mirë, por ka edhe disa që nuk e bëjnë këtë gjë. Për shembull, ka histori rreth bandave të hajdutëve që grabisin dhe pastaj kthehen në shtëpi. Është e pamundur që njerëzit të kenë frikë të shtojnë Islandën ose Norvegjinë, por më tepër vendet e Ballkanit apo Turqinë” përfundoi ai.

Kujtojmë se disa ditë më parë edhe nga Parisi erdhën sinjale që paralajmëronin veton kundër zgjerimit të BE. Holanda gjithashtu është një nga vendet e para që e ka parë me dyshime zgjerimin, madje atje u kalua një rezolutë për heqjen e vizave me Shqipërinë.

Politikat mbi zgjerimin e BE do të qartësohen më shumë ditët në vazhdim pas përfundimit të zgjedhjeve për Parlamentin Europian. / opinion

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne