David Satterfield bëhet ambasador i SHBA-së në Ankara

Emri i ambasadorit Satterfield ishte propozuar më 16 shkurt nga Presidenti amerikan, Donald Trump.

“Ne kemi lajme të shkëlqyera për ju! Natën e kaluar, Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës miratoi ambasadorin David Satterfield në krye të Ambasadës së SHBA-së në Ankara. Ne shpresojmë që takimi ynë të realizohet në një të ardhme të afërt. Vazhdoni të na ndiqni!”, shkruan Ambasada amerikane në Ankara në një postim në “Twitter”.

Kush është David Satterfield?

Ai spikat si një prej diplomatëve të karrierës me më shumë përvojë në Departamentin amerikan të Shtetit.

Lindur në Merilend, më 18 dhjetor 1954, Satterfield ka marrë pjesë në misione të ndryshme që nga viti 1980. Aktualisht ushtrues i detyrës së nënsekretarit të Shtetit për Çështjet e Lindjes së Afërt, ai ka marrë pjesë si vëzhgues i SHBA-së në Procesin e Astanës për Sirinë, një nismë e Turqisë, Rusisë dhe Iranit.

Satterfield ka shërbyer gjerësisht në Lindjen e Mesme duke përfshirë zonën e Gjirit Persik, Libanin, Irakun, Arabinë Saudite dhe Tunizinë. Ai më vonë ka qenë këshilltar i lartë për Irakun për sekretaren e Shtetit, Condoleezza Rice dhe drejtor i përgjithshëm i Forcës Shumëkombëshe dhe Vëzhguesve, mision paqeruajtës në Gadishullin e Sinait nga qershori 2009 deri në gusht 2017. Ai ka shërbyer gjithashtu si i ngarkuar me punë në Egjipt nga gushti 2013 deri në janar 2014 dhe më pas si këshilltar special i sekretarit të Shtetit për Libinë.

Administrata Trump, e cila drejton SHBA-në që prej vitit 2017, gjatë të njëjtit viti i dha fund misionit të ambasadorit John Bass në Turqi për ta emëruar atë ambasador në Afganistan. Që atëherë, SHBA-ja nuk kishte ambasador në Ankara.

Burimi:TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne