Rajoni

Debate të forta në Kosovë për kufirin, Veseli: Ndarja, jo temë dialogu! Thaçi: Korrigjim kufijsh

Ideja e presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve ka prodhuar debate të forta politike në Kosovë. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka dalë kundër idesë së presidentit Thaçi. “Kosova do të hyjë në OKB, NATO dhe në BE me kufijtë e saj të pavarësisë”, ka deklaruar Veseli.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe një herë vazhdon të këmbëngul në qëndrimin e tij në raport me Serbinë dhe idesë së tij. Ai thotë se propozimi i tij për një zgjidhje paqësore me Serbinë tashmë është i qartë. “Nuk ka ndarje përgjatë vijave etnike, por po në korrigjimin e kufirit dhe njohje reciproke”, shkruan Thaçi në Twitter.

Ndonëse, Thaçi deri vonë ishte kundër idesë për korrigjimin e kufirit me Serbinë, por tani, në çdo postim të tij në rrjete sociale e madje edhe në konferenca e mbështet këtë deklaratë të tij.

Ideja e tij, u kundërshtua nga opozita dhe madje edhe nga partnerët e koalicionit. Sot në një shkrim për Kohën Ditore, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka dalë kundër idesë së presidentit Thaçi. “Në asnjë rrethanë, ndarja e Kosovës nuk do të jetë temë e dialogut”, thotë Veseli ndër të tjera.

“Vendimet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës janë te qarta. Në asnjë rrethanë, ndarja e Kosovës nuk do të jetë temë e dialogut. Kosova do të shkojë në dialog, në mënyrë që finalja e tij ta prodhojë një marrëveshje ndërkombëtarisht obliguese – e cila sjell njohjen e Kosovës, ulësen në OKB dhe përshpejtimin e rrugës së integrimeve euroatlantike. Kjo është agjendë e jona e përbashkët me SHBA-në dhe BE-në” -thotë Kadri Veseli.

Sipas kryeparlamentarit Veseli, Kosova do të hyjë në OKB, NATO dhe në BE me kufijtë e saj të pavarësisë.

Burimi: Shqiptarja.com

OPINIONE