Deklarata e BE-së injoron dekretin e Presidentit dhe dhunon shtetin e së drejtës

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

Delegacioni i BE-së në Tiranë botoi në rrjetet sociale një deklaratë, të nënshkruar edhe nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Drejtoria e Zgjerimit e KE-së dhe nga vetë Komisioni Evropian, me të cilën i jep mbështetje të plotë qeverisë Rama për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Deklaratë e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri

Qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Prandaj edhe, duke pasur parasysh votimet që do të zhvillohet më 30 qershor 2019, është e domosdoshme që qytetarët, që ushtrojnë të drejtat e tyre, ta bëjnë këtë në një mënyrë të rregullt. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që veprimtaritë e votimit të mos pengohen.

Demonstrata e zhvilluar në Tiranë më 21 qershor 2019 ishte paqësore dhe të njëjtat parime dhe vlera demokratike duhen ruajtur këtë fundjavë. Çdo veprim i dhunshëm apo çdo formë nxitjeje për dhunë janë absolutisht të papranueshme në çfarëdo lloj rrethane. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese. Procesi i votimit do të vëzhgohet nga një mision ndërkombëtar i drejtuar nga OSBE/ODIHR, që përfshin vëzhgues nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Të gjitha palët duhet të angazhohen në një dialog të mirëfilltë, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të kapërcyer situatën aktuale politike në mënyrë që t’i përqëndrojnë përpjekjet e tyre në mbështetjen dhe konsolidimin e progresit të bërë nga Shqipëria deri më tani në procesin e reformave në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.”

Ndonjëri do të na tregonte se deklarata ka përdorur fjalën “votim” dhe jo “zgjedhje”, sikur kjo të na e paskësh dobësuar në ndofarë mënyre pozitën e Kryeministrit Edi Rama. Ky dallim mes të dyja fjalëve duhet injoruar si detaj i pavlerë gjuhësor. Deklaratën duhet ta pranojmë ashtu siç është: një gjest i qartë i njëanshëm kundër Presidentit Ilir Meta dhe tregues i asaj se parimi i mosndërhyrjes diplomatike në punët e brendshme të Shqipërisë është braktisur. Bashkimi Evropian i ka dhënë kështu mbështetjen e tij të plotë qeverisë Rama, e cila në ditët e fundit ka arrestuar dhjetra anëtarë të opozitës dhe ka zhvilluar një fushatë masive presioni dhe frikësimi. Falë BE-së, mbajtja e zgjedhjeve të dielën do ta kthejë de facto Shqipërinë në gjendjen e saj të para vitit 1991, atë të një shteti njëpartiak.

Bashkimi Evropian ka heshtur plotësisht për secilën nga këto shkelje serioze të të drejtave themelore të njeriut për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe po ashtu nuk e ka marrë fare parasysh faktin se Presidenti Ilir Meta ka dekretuar zgjedhje të reja për në 13 tetor. Duke vepruar kështu, Bashkimi Evropian ka vendosur të braktisë parimin e shtetit të së drejtës, të cilin shpesh dhe në mënyrë hipokrite pretendon se e çmon shumë. I gjithë Delegacioni i BE-së në Tiranë, duke përfshirë edhe ambasadorin e BE-së Luigi Soreca, në këtë mënyrë vërtetoi se është një partner i pabesueshëm për çdo qeveri shqiptare, të tashme apo të ardhme.

Në të vërtetë Shqipëria ka qenë në një krizë të thellë kushtetuese që në momentin që Presidenti Ilir Meta nxori dekretin që anulonte zgjedhjet vendore të dekretuara për t’u zhvilluar më 30 qershor. Por, po kaq e vërtetë është se vetëm Gjykata Kushtetuese është në gjendje të japë një vendim përfundimtar mbi këtë dekret – as Parlamenti, as madje as Kolegji Zgjedhor. Edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk ekziston ende – në kundërshtim të plotë me “pritshmëritë” që BE-ja mund të ketë pasur për Reformën në Drejtësi – ajo mbetet ende gjykata më e lartë në Shqipëri.

Sot më vjen turp që jam qytetar i BE-së; më vjen turp për Komisionin Evropian, i cili, në largim e sipër, pas një humbjeje poshtëruese në zgjedhjet europarlamentare, ndërhyn kaq pa takt në një situatë shpërthyese që mund të shkatërrojë Shqipërinë. Kjo krizë do të vazhdojë, pavarësisht “zgjedhjeve” të së dielës, dhe Bashkimi Evropian do të ketë humbur statusin e tij si negociator i besueshëm. Duke u sjellë në këtë mënyrë, BE-ja ka shkrehur një pistoletë kundër vetes. Vërtet për të ardhur keq!/exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne