Deklarata e fortë e Bashës pas BILD: Nuk ka më as negociata dhe as marrëveshje

“Pa largimin e Edi Ramës dhe të klikës kriminale që është sot në pushtet nuk do të ketë asnjë hap përpara”.

Janë fjalë të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në një konferencë për mediat pas publikimit të përgjimeve të BILD.

“Pa nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që nën drejtimin e Edi Ramës frikësuan, kërcënuan, dhunuan, vodhën dhe blenë votën e shqiptarëve nuk do ketë asnjë përparim. Unë dhe demokratët nuk mund të tërhiqemi dhe nuk do të tërhiqemi kurrë nga këto dy objektiva çliruese për Shqipërinë” – tha Basha që u shpreh se tashmë ishte edhe më i bindur për largimin nga parlamenti.

“Sot, më shumë se kurrë ne ndihemi të sigurt në drejtësinë e kauzës tonë, dhe të rrugës që kemi ndjekur. Ata që besonin se me këtë bandë grabitqare dhe kriminale në pushtet mund të dialogohej në Kuvend, mund të bëheshin reforma me konsensus, mund të përdoreshin rrugë institucionale, sot duhet të flakin tutje edhe iluzionin e fundit, që mund të kishin për metodën e bashkëbisedimit demokratik me Edi Ramën.

Sot është e qartë se largimi nga parlamenti dhe braktisja e zgjedhjeve farsë ishin vendimet e duhura. Pa asnjë mëdyshje. Qëndrimi në këtë Kuvend dhe pjesëmarrja në zgjedhje farsë do të na kthente në fasadë të pushtetit të krimit. Me krimin nuk mund të ketë dialog, nuk mund të ketë negociata dhe as nuk mund të bëhen lëshime. Ky është standard perëndimor. Unë dhe të gjithë demokratët do t’i qëndrojmë deri në fund këtij standardi: Me krimin nuk ka negociata dhe marrëveshje” – tha Basha që komentoi edhe përgjimet e BILD për zgjedhjet në Dibër.

“Është tragjike për një komb kur mësuesit e tij kthehen nga edukatorë të së ardhmes në hajdutë votash. Është tragjike për një komb kur polici shtrëngohet të kthehet në një keqbërës të vogël për të ruajtur bukën e gojës së fëmijëve. Në Shqipëri një qeveri e mbushur me kriminelë i ka marrë dinjitetin, nderin dhe kurajën çdo shqiptari duke e kërcënuar me bukën e gojës. Edi Rama është krimineli me të cilin duhet të merremi para çdo gjëje tjetër. Në Shqipëri një qeveri e mbushur me kriminelë i ka marrë dinjitetin, nderin dhe kurajën çdo shqiptari duke e kërcënuar me bukën e gojës”– tha Basha.

“Pikërisht aleanca zgjedhore krim-politikë shpjegon pse Edi Rama i bëri kriminelët deputetë dhe kryebashkiakë.
Shpjegon pse ai i liroi kriminelët nga burgjet nga hajdutët e vegjël tek Lul Berishat.
Shpjegon pse Edi Rama lejoi kanabizimin e Shqipërisë dhe trafikun masiv të drogës.
Shpjegon pse Edi Rama shpiku PPP-të dhe ligjet speciale për të grabitur pronat e shqiptarëve. Shpjegon pse Edi Rama mori mbi tre miliardëve gjysmë euro borxh dhe rriti të gjitha taksat por nuk shtroi asnjë kilometër rrugë” – tha Basha./lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne